EULEX-i nis hetimet për cilësinë e naftës

Autori:Avdyl Pajaziti

EULEX-i, ka nisur hetimet ndaj trupave inspektuese ne Kosovë. Mësohet se kjo po bëhet pikërisht për lëshimet që kanë ndodhur në inspektimin e cilësisë së derivateve të naftës.

Gjatë javës së kaluar misioni për sundim dhe Ligj, EULEX, ka thirr për dëshmitarë edhe pronarët e kompanive importuese më të mëdha që veprojnë në Kosovë, shkruan gazeta Zëri.

Nga EULEX nuk kanë dashur të flasin në lidhje me këto hetime, por nga Dogana e Kosovës, zyrtarisht e ka konfirmuar se ky mision ka kërkuar informatë mbi dokumentet të cilat lëshojnë trupat inspektuese.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka konfirmuar se në fillimi të vitit 2014 hetuesit e EULEX kanë kërkuar informatë mbi dokumentet të cilat lëshojnë trupat inspektuese.

“Dogana iu ka ofruar qasje në arkiv. Ky hetim nuk ka pasur oficer doganor të involvuar pasi që kualiteti i naftës nuk është kompetence e doganës”, ka sqaruar ai.

Trupat Inspektuese akreditohen për vlerësim të Konformitetit nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, dhe janë të autorizuara të Inspektojnë cilësinë dhe sasinë e derivateve të lëngëta të naftës dhe inspektimin e cilësisë së gazrave të lëngëzuar të naftës.

Në lidhje me këto hetime Fadil Berjani, Kryetar i Shoqatës se Naftëtarëve të Kosovës ka thënë se ky mision në këtë rast duhet të hetoj edhe ish ministrat e MTI-së.

“Kërkesa e Shoqatës ka qenë qysh në kohën e ministres, Mimoza Kusari Lila, ministrit Bernard Nikaj, dhe ministrit Ismet Mulaj, tani së fundmi edhe të ministrja Hykmete Bajram, që këto trupa të largohen”, ka shtuar Berjani.

Ai ka thënë se për 22 muaj rresht në kohë sa ka qenë ministre Kusari Lila, ka pasur monopol në këtë fushë.

“Ka operuar për këtë periudhë vetëm “Saybolt Pan Adriatika”, dhe kemi qenë të detyruar që shërbimet ti kryejmë vetëm tek kjo trupë”, ka shtuar Berjani.

Ai ka akuzuar se këto trupa në vazhdimësi kanë lëshuar certifikata të konformitetit fallso./Zëri/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/eulex-i-nis-hetimet-per-cilesine-e-naftes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala