EULEX-i me kompetenca dhe imunitet

Autori:Zekirja Shabani

Kuvendi i Kosovës është në pritje të procedimit të Projektligjit të ri për vazhdimin e mandatit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX.

Projektligjet për vazhdimin e mandatit të EULEX-it janë futur në rend dite të seancës së Kuvendit të Kosovës, me propozimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës, ndërkaq kundër, ishte Lëvizja Vetëvendosje.

Në rendin e ditës janë 17 pika, andaj mbetet të pritet nëse vazhdimi i mandatit të këtij misioni do të shqyrtohet për aprovim të enjten apo të premten.

Për mandatin, kompetencat dhe përgjegjësitë e këtij misioni, është vendosur gjatë një procesi negociues ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe atyre të Bashkimit Evropian.

Çështja kryesore për të cilën është diskutuar, ishte nëse EULEX-it do t’i lejohen apo jo kompetenca ekzekutive për hapjen e rasteve të reja në kuadër të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Përderisa çështja tjetër, ajo e krimeve të luftës, tashmë mund të kaloj në kompetencë të Gjykatës Speciale.

Me ligjin e ri, sipas zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Hajredin Kuçi është paraparë që në rrethanat e jashtëzakonshme, autoriteti kompetent i EULEX-it për arsye specifike të bazuara, mund të propozoj një rast të ri tek prokurori i EULEX-it.

“Por, këtë do ta shqyrtojë një komision i përbërë nga kryeprokurori i shtetit, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale dhe kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, ndërsa Këshilli Prokurorial i Kosovës do të vendos për këtë rast a do t’i bartet apo jo”,ka thënë Kuçi.

Sipas tij, ky është rezultat i marrëveshjes së arritur dhe reflekton edhe në letrat e shkëmbyera nga Presidenti Hashim Thaçi dhe Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian Federica Mogherini.

Përveç zgjatjes së mandatit të EULEX-it deri më 15 qershor 2018, autoritetet e Kosovës janë pajtuar edhe për delegimin e autoritetit për emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ndërkombëtarë, përfshirë edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/eulex-i-me-kompetenca-dhe-imunitet/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala