Erdogan: Putin, mos luaj me zjarr!

Autori:Gazeta Fjala

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi se Rusia nën pretekstin e rrëzimit të avionit rus po akuzonte padrejtësisht Turqinë duke e paralajmëruar “të mos luante me zjarrin”, theksoi agjencia e lajmeve “Anadolu Agency” (AA).

Në një fjalim të mbajtur në qytetin verior turk, Bayburt, ku mori pjesë në ceremoninë e hapjes të disa projekteve të përfunduara, Erdogan foli mbi zhvillimet e fundit në lidhje me rrëzimin e avionit rus.

Me këtë rast Erdogan theksoi se regjistrimet e radarit kanë konfirmuar se avionët rusë kishin shkelur hapësirën ajrore turke dhe se e gjithë kjo është vërtetuar para botës edhe me audio-incizime.

“E gjithë bota e ka pranuar se e drejta është në anën e Turqisë. Po ashtu edhe Rusia ka përgjegjësi për të paraqitur pretendimet e saj, ndryshe ajo do të marrë statusin e gënjeshtarit për shkak të akuzave të rënda dhe të pandershme”, shtoi Erdogan.

“Turqia nuk e ka rrëzuar qëllimisht avionin luftarak rus. Ky është një rast që automatikisht ka ardhur si pasojë e shkeljeve të hapësirës ajrore, konkretisht zbatimit të rregullave të angazhimit”, theksoi ai.

Presidenti turk Erdogan paralajmëroi homologun rus, Vladimir Putin të mos luajë me zjarrin, transmeton zeri.info

“Putin i dashur, kush aplikon standarde të dyfishta ndaj terrorizmit, luan me zjarrin. Të mbështesësh regjimin e Asadit, i cili është shkaku për humbjen e 380 000 jetëve dhe i cili po përhap terror shtetëror edhe kjo është lojë me zjarrin. Nën pretekstin e luftës kundër ISIS-it, të bombardosh opozitën, e cila ka legjitimitet ndërkombëtar, është lojë me zjarrin, ndaj paralajmërojmë Rusinë të mos luajë me zjarrin”, theksoi Erdogan.

Megjithatë, Erdogan shtoi se dëshironte të zhvillonte një takim kokë më kokë me presidentin Putin në bisedimet për klimën që do të zhvillohen javën e ardhshme në Paris për të zgjidhur problemin mes dy vendeve.

“Do të më pëlqente ta çoja çështjen në një pikë të arsyeshme. Ne jemi të shqetësuar që ajo është përshkallëzuar”, shtoi presidenti turk

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/erdogan-putin-mos-luaj-me-zjarr/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala