Enver Hasani në dhjetor del para gjykatës si i dyshuar për falsifikim nënshkrimi

Autori:Avdyl Pajaziti

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani bashkë me pasardhësen e tij, Arta Rama- Hajrizi do të dalin para Gjykatës Themelore në Prishtinë kah mesi i dhjetorit.

Të dytë po hetohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës për dy vepra penale: shpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar, shkruan sot Koha Ditore.

Hetimet ndaj tyre kanë filluar pas denoncimit që ua ka bërë këtë vit ish-avokati i Popullit, Sami Kurteshi.

Ai kishte kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese nëse presidentja, Atifete Jahjaga kishte shkelur Kushtetutën kur ua kishte vazhduar mandatin tre gjyqtarëve. Kushtetuesja e kishte hedhur poshtë këtë lëndë. Në vendim kishte futur edhe emrin e gjyqtarit Robert Carolan.

Mirëpo, ky gjyqtar kishte përjashtuar vetën nga vendosja për shkak të konfliktit të interesit, sepse kishte të bënte me mandatin e tij dhe të dy kolegëve të tij ndërkombëtarë.

Gjyqtari ndërkombëtar, Carolan, që ishte i vetmi që nuk ishte pajtuar vitin e kaluar gjatë debatit në gjykatë se çka mund të quhet “grup parlamentar”, i kishte dërguar letër Avokatit të Popullit për të sqaruar rastin e emërimit të tij dhe dy gjyqtarëve të tjerë.

Carolan është edhe dëshmitari kryesor në këtë çështje penale.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/enver-hasani-ne-dhjetor-del-para-gjykates-si-i-dyshuar-per-falsifikim-nenshkrimi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala