Enver Hasani: Jam i pafajshëm

Autori:Avdyl Pajaziti

Enver Hasani, Hakif Veliu e Albert Rakipi u deklaruan të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen. Para se ta deklarojnë pafajësinë, këtyre të treve iu lexua aktakuza nga prokurorja Drita Hajdari.

Hasani që ishte nga viti 2009 deri në 2014 kryetar i Gjykatës Kushtetuese nga prokuroria akuzohet se në cilësinë e Rektorit të Universitetit të Prishtinës ka kryer veprën penale të mashtrimit në detyrë. Pjesë e këtij gjykimi bashkë me Hasanin janë edhe Hakif Veliu dhe Albert Rakipi.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Hasani në cilësinë e rektorit të UP-së, Hakif Veliu si shef i Zyrës së Prokurimit në UP dhe Albert Rakipi si drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare (ISN), si persona zyrtarë dyshohet se kanë falsifikuar kontratën origjinale “Përkthimi i Librave nga Gjuha Angleze në Gjuhën Shqipe për Nevojat e Universitetit të Prishtinës” të datës 5 dhjetor 2008.

Në kontratë vlera e saj ishte përcaktuar 500 mijë euro, ndërsa çmimi i pagesës për njësi -1000 fjalë 12.65 euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës së prokurorisë, të pandehurit sipas marrëveshjes paraprake kanë lidhur një kontratë të re në të cilën kanë shfrytëzuar numrin e njëjtë të protokollit dhe datën e njëjtë të kontratës origjinale duke ndryshuar nenin 17 të kontratës, ashtu që në vend të çmimit për njësi-1000 fjalë 12.65 euro, kanë shënuar çmimin për njësi -1000 karaktere 12.65 euro.

Prokuroria pretendon se kjo i ka mundësuar përfitim më të madh Institutit për Studime Ndërkombëtare për numrin e njëjtë të shërbimit.

Në aktakuzë thuhet se kjo kontratë është nënshkruar dhe vulosur nga Hakif Veliu, ndërsa Enver Hasani e ka dërguar të njëjtën në Tiranë tek i pandehuri Albert Rakipi.

Kjo seancë ishte paraparë të zhvillohej më 27 nëntor, mirëpo për arsye se atë ditë u pushua nga institucionet për Ditëne Flamurit, seanca u shty për sot.

Betim Shala, avokati i Enver Hasanit tha për KALLXO.com më 29 nëntor se i mbrojturi i tij nuk mund të akuzohet për mashtrim në detyrë, ngase në kohën kur ishte rektor, pozita që ai kishte ishte e përjashtuar me ligj për të ndërhyrë në çështje të prokurimit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/enver-hasani-jam-i-pafajshem/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala