Ende s’ka asnjë gjurmë të Sead Alushit

Edhe të shtunën, në ora 15:00, në takimin e radhës të Shtabit emergjent për kërkimin e të riut Sead Alushi nga Suhadolli i Mitrovicës, nuk është thënë asgjë e re, përveç asaj që është ripërsëritur deri tash, se kërkimet po bëhen, por Seadi, as i gjallë e as i vdekur, nuk po gjendet
Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, i cili për çdo ditë merr pjesë në takimin e orës 15:00, në fshatin Lisicë, mu aty ku bashkohen Ibri e Sitnica, ku është vendosur Shtabi emergjent, në të cilin marrin pjesë edhe përfaqësuesi i komunës në veri të Mitrovicës dhe përfaqësuesit e FSK-së, KFOR-it, policisë së Kosovës, EULEX-it, zjarrfikësve etj, bëri të ditur se ekipet e kërkimit të djaloshit Sead Alushi, për të cilin dyshohet se ka rënë në lum, nuk raportuan asnjë detaj të ri lidhur me këtë.
“Pjesëtarët e FSK-së, të KFOR-it, të policisë së Kosovës, të EULEX-it e të tjerët, janë dukë bërë punë të madhe pa ndërpre, për të gjetur Seadin, por ata ende nuk kanë hasur në të dhe në asnjë gjurmë që do të jepte shpresë se ai do të gjendet. Zhytësit janë duke e kërkuar atë me katër barka dhe deri tash kanë hulumtuar brenda në ujë, në gjatësi prej disa kilometrash, por pa sukses”, tha ai.
Bahtiri tha në vazhdim se kërkimet do të vazhdojnë edhe më tutje, madje me intensitet të shtuar, për të gjetur Seadin, apo ndonjë gjurmë lidhur me të