Ende nuk dihet numri i shqiptarëve në diasporë

Autori:Avdyl Pajaziti

Procesi i regjistrimit të qytetarëve të Kosovës në diasporë nuk pritet të përfundojë këtë vit. Regjistrimi online nuk ka qenë i suksesshëm, derisa ka pasur probleme softuerike.

Ministria e Diasporës është duke u munduar që biznesmenëve në diasporë të iu krijohet klimë më të favorshme për të bërë biznes në Kosovë.

Kështu ka thënë ministri i Diasporës, Valon Murati në një intervistë për “KosovaPress”.

“Kërkesat e tyre janë ato pak a shumë të njohura. Përpjekje që ne të kemi një ambient sa më të mirë, sa më të favorshëm që ata të vijnë edhe të investojnë. Kërkesat të cilat unë i diskutoj në mënyrë shumë të sinqertë me ta edhe realisht Qeveria është duke bërë përpjekje edhe përmes ndryshimeve të ligjeve, edhe përmes orientimit që e ka në programin qeveritar që e ka në fushën e ekonomisë që të punojë për të krijuar këtë ambient sa më të mirë për ta” , ka thënë Murati.

Ai po ashtu ka thënë se është duke bërë përpjekje që t’i afrojë bizneset në diasporë me ato në Kosovë. Por Murati nuk ka qenë në gjendje të tregojë ndonjë të arritur në kuptimin e investimeve nga ana e ndonjë nga biznesmenët jashtë.

“Përpjekja që kam bërë për t’i dhënë një ta them një energji të punës me bizneset nga diaspora… Ne kemi bërë përpjekje që të trajtojmë edhe raste konkrete edhe t’i adresojmë edhe tek institucionet tjera”, ka thënë Murati.

Ndërsa, sa i përket çështjet të regjistrimit të diasporës, Murati ka thënë se nuk ka ndonjë të dhënë për numrin e të regjistruarve, kurse për procesin e regjistrimit online janë duke punuar në mënyrë që ky proces të jetë i rëndësishëm.

“Ato janë ende në përpunim e sipër është edhe afati kohor ligjor kur mund të vijmë diku në fillim të vitit të ardhshëm do ta kemi të themi informatat e para ashtu siç e kërkon edhe vendimi për këtë proces të regjistrimit ato janë ende duke u përpunuar… Ne jemi duke punuar edhe në atë drejtim në mënyrë që procesi online të jetë pjesë e rëndësishme e këtij procesi. Problemi që ka qenë ta them të tipit softuerik”, ka thënë ai.

Kurse, për shqiptarët që janë në Turqi, Murati ka thënë se kanë hap një qendër kulturore në Stamboll me qëllim që të jenë sa më afër me vendin tonë.

“Ministria e Diasporës e ka një qendër të kulturës në Stamboll në të cilën organizohen kurse falas… Ajo që është e rëndësishme është se ne jemi duke i shikuar të gjitha mundësitë se si të avancohet çështja e mësimi të gjuhës shqipe, qoftë përmes kurseve, qoftë përmes të ndonjë marrëveshje. Se tash ne e kemi këtë marrëveshjen që e kemi realizuar me Republikën e Shqipërisë dhe mund të jetë edhe pjesë e një marrëveshje të ardhshme ta them edhe me Republikën e Turqisë”, ka thënë Murati.

Murati si sukses të tij të arritur konsideron realizimin e dy marrëveshjeve me Shqipërinë.

“I kemi dy marrëveshje të rëndësishme mes Kosovës dhe Shqipërisë. Një planin e mësimit të gjuhës shqipe të mësimit plotësimit shqip në diasporë një marrëveshje e cila duhet të jetësohet janë krijuar grupe të punës dhe ato janë duke punuar… Gjithashtu, edhe marrëveshjen në fushën e bashkëpunimit kulturorë me ministrinë e kulturës së Kosovës dhe ministrinë e kulturës së Shqipërisë “, ka thënë Murati.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ende-nuk-dihet-numri-i-shqiptareve-ne-diaspore/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala