Emiratet të kënaqura me ecuritë në realizimin e Spitalit Pediatrik në Prishtinë

Autori:Gazeta Fjala

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani me bashkëpunëtorë priti sot përfaqësues të Emirateve të Bashkuara Arabe, me të cilët u biseduan detaje rreth projektit të spitalit të ri kirurgjik-pediatrik, që do të ndërtohet në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, donacion me vlerë prej 22 milionë eurove nga Lartmadhëria e saj, Sheika Fatima Bint Mubarak e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ministri Rrahmani falënderoi edhe një herë EBA-të për këtë projekt që ndihmon drejtpërdrejt forcimin e shërbimeve shëndetësore për fëmijë në Kosovë, duke theksuar se një spital i tillë do të ndihmojë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Qeverinë e vendit në realizimin e prioriteteve që lidhen me shëndetin e nënave dhe fëmijëve në Kosovë, transmeton Koha.net.

Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, tha ministri, do të ofrojnë krejt asistencën që do të kërkohet, me qëllim që projekti të realizohet sipas parashikimeve, ndërkohë që falënderoi edhe presidenten Jahjaga për angazhimet në arritjen e marrëveshjes për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm për shëndetësinë në Kosovë.

Përfaqësuesi i EBA, dr. Mamad Hazaabi dhe këshilltari i lartë për Kualitet dhe Monitorim në Autoritetin Shëndetësor të EBA, kanë prezantuar disa detaje teknike që lidhen me projektin dhe u shprehën të kënaqur me ecurinë e deritanishme të bashkëpunimit në realizimin e tij.

Ata thanë se do të kenë takime edhe me ekspertë të fushave teknike në SHSKUK, me qëllim të qartësimit të çdo detaji para se të fillohet me ndërtimin e spitalit, i cili është paraparë që të futet në funksion të pacientëve , në fundin e vitit 2017.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/emiratet-te-kenaqura-me-ecurite-ne-realizimin-e-spitalit-pediatrik-ne-prishtine/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala