Ekzekutohet vrasësi i nënkomisarit të FNSH-së pas 12 orësh rrethim

Autori:Gazeta Fjala

Autori i vrasjes së Simon Gjetës, komandantit të një reparti të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër, u vra gjatë mëngjesit të së dielës nga policia, e cila kishte rrethuar prej mesnatës banesën e tij.

Ruzhdi Arishta, i cili qëlloi me 3 plumba oficerin e policisë nuk iu përgjigj thirrjeve të policisë për t’u dorëzuar, ndërkohë që aksioni zgjati rreth 12 orë.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë, korrespondenti i Top Channel nga Shkodra, Ardi Hoti flet për një natë të gjatë e tepër të vështirë të forcave RENEA, të cilët fillimisht tentuan negociatat me agresorin për ta bindur të dorëzohej, duke shfrytëzuar në këtë mes edhe familjarët e tij, por ai nuk ka pranuar, madje është përgjigjur me armë zjarri ndaj efektivëve. RENEA, nga ana e saj është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës dhe tymuese, por edhe me armë zjarri. Gjithsesi, për shkak të errësirës, RENEA ka pritur orët e mëngjesit për të ndërhyrë në banesën e tij. Edhe në orët e para të mëngjesit ka pasur shkëmbim zjarri mes palëve, por agresori në këtë rast ka mbetur i vdekur.

Në operacionin policor për neutralizimin e vrasësit të Gjetës në Shkodër u angazhuan 250 forca policore, 15 automjete ndër të cilat 5 të blinduara, qen gjurmues, mburoja kolektive antiplumb dhe kamera me fibër optike. Në krye të operacionit ishin krerët më të lartë të Policisë së Shtetit, drejtori i Përgjithshëm Haki Çako, si dhe të tjerë si Ardian Çipa, Altin Qato e Niko Brahimaj. I pranishëm ishte gjithashtu edhe drejtori i Krimeve të Rënda, Arben Dashi.

Gjithçka ka nisur nga një konflikt banal mes dy komshinjve, Ruzhdi Arishta dhe Besmir Sherbela, vetëm për një gardh. I pari qëlloi ndaj fqinjit të tij duke e lënë të plagosur e nga këtu kanë marrë informacion edhe forcat e policisë së Komisariatit Shkodër, të cilët kanë shkuar në vendngjarje për të arrestuar agresorin, i cili duket se ka pasur edhe çrregullime mendore dhe ka qenë problematik për komunitetin ku jetonte. Për këtë shkak u kërkua edhe ndihma e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilët rrethojnë banesën e Arishtës, ndërsa komandanti i tyre është futur menjëherë në portën e banesës, duke marrë edhe 3 plumbat e qëlluar prej vrasësit./ Top Channel

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ekzekutohet-vrasesi-i-nenkomisarit-te-fnsh-se-pas-12-oresh-rrethim/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala