Ekspertiza e trupit të Mirsad Ndrecajt me lëshime (Video)

Autori:Avdyl Pajaziti

Edhe ekspertiza e trupit të Mirsad Ndrecajt, e realizuar nga Instituti për Mjekësi Ligjore, është jo e plotë dhe nuk përmban informacione themelore për rrethanat e vdekjes së tij.

Dokumenti i obduksionit, i siguruar nga televizioni Shenja, dëshmon se edhe Ndrecaj ka ndërruar jetë si pasojë e plagës në kokë, edhe pse ka edhe plagë tjera në trup. Megjithatë ekspertiza nuk përmban të dhëna për kohën e vdekjes dhe largësinë prej të cilës është hapur zjarri.

“Vdekja e tashmë të ndjerit Mirsad Ndrecaj, në moshën 36-vjeçare, është e dhunshme dhe ka ardhur si rezultat i plagës nga armë zjarri në tru. Në trupin e të ndjerit konstatohen 12 lëndime nga armë zjarri, prej të cilave 2 në kokë”, theksohet në dokumentin e obduksionit të Ndrecajt.

TV “Shenja” publikoi ditë më parë edhe obduksionet e Beg Rizajt dhe Arben Rexhajt, të cilave gjithashtu u mungonin elemente të rëndësishme për zbardhjen e rrethanave të vdekjes së tyre. Pasuan reagime të avokatëve mbrojtës, Avokatit të Popullit dhe Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë të cilët vlerësojnë se në aksionin e Kumanovës mund të ketë shkelje të të drejtave të njeriut.

Ata kërkojnë hapjen e një hetimi të ri që do të përfshinte edhe obduksion të ri të të vrarëve, për të saktësuar të gjitha rrethanat.

Sipas versionit zyrtar të MPB të Maqedonisë, Mirsad Ndrecaj, i lindur më 17.06.1979 nga Kosova, i njohur si Komandant NATO, është vrarë në luftimet e një grupi të luftëtarëve shqiptarë me forcat policore maqedonase. /Tv Shenja/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ekspertiza-e-trupit-te-mirsad-ndrecajt-me-leshime-video/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala