Ekspertët e sigurisë: Të ngrihet niveli i sigurisë në Kosovë

Autori:Avdyl Pajaziti

Të nxitur nga sulmet në Paris, njohësit e çështjeve të sigurisë në vend i kanë ftuar institucionet e Kosovës ta ngrehin shkallën e sigurisë në vend.

Ata kanë thënë për “Epokën e re” se sulmet në Paris tregojnë se ndaj këtyre sulmeve nuk janë imune as vendet më të fuqishme të botës. “Sulmi i fundit në Paris ka dëshmuar se asnjë shtet, pavarësisht çfarë fuqie ka, nuk mund të jetë i paprekshëm nga kjo e keqe globale, e cila është e pakrahasueshme në qindra vjetët e fundit të njerëzimit dhe si e tillë normalisht se paraqet edhe një kërcënim shtesë për shtetet e brishta që nuk e kanë të përfunduar arkitekturën kombëtare të sigurisë, sikurse është edhe rasti i Kosovës. Pra, parimisht kërcënimi nga terrorizmi është i njëjtë si për Francën, respektivisht për shtetet e forta, si për Kosovën dhe shtet e brishta”, ka thënë njohësi i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani.

Ai ka thënë se institucionet vendore të sigurisë së bashku me mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë në vend duhet ta ngrehin nivelin e gatishmërisë. “Institucionet e Kosovës do të duhej ta ngrehin nivelin e gatishmërisë të sigurisë. Është për çudi se neglizhenca është e madhe. Do të duhet që institucionet e sigurisë, përkatësisht Këshilli i Sigurisë, të ishte mbledhur veçmas për këtë pikë, për të parë se cilat janë mënyrat e përgatitjes së gatishmërisë së institucioneve të sigurisë së Kosovës për ta parandaluar ndonjë akt të mundshëm terrorist, sidomos në periudhën e fundit kur duket qartë një strategji e organizatave terroriste që të sulmojnë shtete të fuqishme të Perëndimit, partnerë i të cilave është Kosova”, është shprehur Ramadani.

Edhe drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Florian Qehaja, ka bërë thirrje për mbledhje të Këshillit të Sigurisë, duke thënë se në këtë drejtim nuk bën përjashtim as Kosova. “Në raste të tilla të gjitha shtetet marrin masa, ngrehin shkallën e gatishmërisë parandaluese e vepruese dhe fusin në lëvizje gjithë mekanizmat. Gjendja e sigurisë do të duhej të diskutohej në Këshillin e Sigurisë. Mos të pritet të na tregojnë të tjerët si të veprojmë, mirëpo të qasemi si shtet. Kosova nuk përbën përjashtim në krejt këtë pasiguri, sepse rrezikshmëria është asimetrike. Armiku është kudo”, ka thënë Qehaja

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ekspertet-e-sigurise-te-ngrihet-niveli-i-sigurise-ne-kosove/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala