Eksod me dekret të Presidentit

Autori:Avdyl Pajaziti

Numri i personave, të cilët dorëzojnë shtetësinë shqiptare, është dy herë më i lartë se i atyre që marrin pasaportë kuqezi. Vetëm në 4 muajt e parë të vitit 2015, Nishani ka firmosur largimin e 143 shtetasve.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka firmosur në katër muajt e parë të vitit 2015 një seri dekretesh, për të mundësuar lënien e shtetësisë shqiptare.

Në bazë të kërkesave të paraqitura dhe materialeve të depozituara edhe nga Ministria e Brendshme, një eksod paralel me atë në pikat e kalimit të kufirit, duket se është zhvilluar tashmë në rrugë zyrtare. Janë 143 persona, të cilëve u është dhënë mundësia nga Kreu i Shtetit për të hequr dorë nga shtetësia shqiptare. Ndërkohë, numri i personave, të cilët e kanë marrë shtetësinë shqiptare është dy herë më i vogël.

Mes tyre spikasin edhe njerëz të njohur të botës së sportit, të cilët janë “vlerësuar” për kontributin e dhënë, shkruan gazeta Shekulli.

Në bazë të ligjit shqiptar, askujt nuk mund t’i hiqet arbitrarisht shtetësia shqiptare.

“Çdo shtetas shqiptar ka të drejtë të heqë dorë nga shtetësia shqiptare, me kusht që të ketë një shtetësi tjetër, të ketë fituar një shtetësi tjetër apo t’i jetë garantuar nga organet kompetente të shtetit të huaj dhënia e një shtetësie tjetër”, thuhet në ligj.

Pikërisht këtu lind edhe problemi, pasi të gjithë ata që kanë dorëzuar pasaportën shqiptare, kanë marrë një shtetësi tjetër, ose të paktën një premtim nga autoritetet e vendit pritës. Disa prej vendeve europiane nuk e lejojnë dyshtetësinë, ndaj për shqiptarët bëhet e domosdoshme dorëzimi i njërës prej tyre dhe në këtë rast i shtetësisë shqiptare.

Diferenca e theksuar mes marrësve dhe lënësve të shtetësisë shqiptare, sipas ekspertëve ligjorë, vjen pikërisht nga nevoja e qytetarëve për të plotësuar kriteret e kërkuar nga ligjet e vendeve ku ata kanë synuar të zhvendosen. Prej disa muajsh është shtuar ndjeshëm numri i personave që largohen nga Shqipëria, duke kërkuar azil në vendet e Bashkimit Europian. Këto vende dhe kryesisht Gjermania, kanë sqaruar se të gjithë kërkesat do të refuzohen dhe qytetarët do të kthehen sërish në Shqipëri.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/eksod-me-dekret-te-presidentit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala