Ekonomia nuk ishte prioritet për asnjë qeveri

Autori:Gazeta Fjala

Të gjitha qeveritë e Kosovës janë marrë më shumë me çështje politike, duke e lënë në rend të dytë zhvillimin ekonomik. Politikat fiskale janë bërë pa analiza dhe për pasojë ekonomia e Kosovës sot ballafaqohet me probleme të shumta zhvillimore.

Kështu thanë njohës të çështjeve ekonomike në një tryezë të organizuar nga Aleanca e Gruas së Kosovës (AAK), ku u shtjelluan temat “Politika e zbatuar ekonomike në Kosovë”, “Politika fiskale dhe efektet e saj” etj.

Krahas krizës ekonomike, Kosova ndodhet edhe në krizë të thellë politiko-shoqërore, u tha me këtë rast.

Profesori Musa Limani, njohës i çështjeve ekonomike, tha se fajtor për krizën e thellë, në të cilën gjendet sot shteti i Kosovës është mos-diagnostifikimi i duhur i problemeve në ekonominë e Kosovës.

“Qeveria jonë, përkatësisht qeveritë tona, asnjëherë nuk i dhanë diagnozë ekonomisë së Kosovës dhe shpesh i dhanë barna të gabueshme dhe e sollën në një krizë shumë të thellë. Sot ekonomia e Kosovës ballafaqohet me probleme të shumta zhvillimore”, u shpreh Limani.

“Ekonomia paraqet një ndër problemet thelbësore të vendit tonë, mirëpo duke u angazhuar për çështje të tjera, institucionet tona ose pushtetmbajtësit janë dhënë pas politikave dhe punëve të tjera, duke lënë anash zhvillimin ekonomik”, theksoi ai.

Sipas tij, politikat ekonomike që zbatohen në vend karakterizohen me joprofesionalizëm, dhe ndikohen nga familjarizmi dhe përkatësia partiake.

“Zhvillimi ekonomik në Kosovës është bërë pa strategji dhe e ka sjellë ekonominë në një rrugë pa krye”, theksoi Limani.

Kurse Berat Thaçi nga Instituti GAP bëri një prezantim rreth shpenzimeve të Qeverisë dhe rritjes së pagave për shërbyesit publikë.

Ai rikujtoi se rritja e pagave rëndom është bërë në prag të zgjedhjeve, në mënyrë që të siguroheshin votat. “Ky vendim nuk ka qenë i menduar mirë ekonomikisht”.

Thaçi foli dhe për reformat e paralajmëruara fiskale nga Qeveria Mustafa dhe efektet që ato pritet të kenë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Në këtë tryezë, mes tjerash u tha se ngarkimi i produkteve medicinale me 8 për qind TVSh, është vendimi më i gabuar i Qeverisë deri më tani. Kjo për arsye se barnat janë jetike dhe ngarkohen qytetarët në gjendje të keqe ekonomike.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ekonomia-nuk-ishte-prioritet-per-asnje-qeveri/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala