Ekipi “special” për gjykatën speciale

Autori:Zekirja Shabani

Institucionet e Kosovës kanë krijuar një grup punues për shqyrtimin e legjislacionit për formimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës. Ky grup punues përfshinë përfaqësues nga Presidenca, Qeveria, gjykatat dhe prokuroritë.

Zëdhënësi i presidentes së Kosovës, Arbër Vllahiu, ka thënë se të gjitha institucionet e Republikës se Kosovës ndajnë përgjegjësitë në përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare, të miratuar me shumicë votash në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Takimi i parë i ekipit teknik ishte për të diskutuar ndryshimet legjislative, ka sqaruar Vllahiu. Sipas tij, ekipi teknik do të diskutojë për disa ndryshime legjislative sipas marrëveshjes së ratifikuar në kuvend.

Ky ekip, ka thënë Vllahiu në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, do të mbajë takime të rregullta edhe me ekipin e BE-së për themelimin e dhomave te posaçme, dhe do të paraqesë diskutimet tek bartësit e institucioneve gjegjësisht Presidentes, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit dhe Zëvendëskryeministrit.

Ndërkohë, profesori i të Drejtës Penale, Ismet Salihu, ka thënë për programin tonë se kjo do të jetë një Gjykatë Penale Ndërkombëtare me të gjitha atributet, ingerencat dhe juridiksionit që i kanë pasur edhe gjykatat e ngjashme si ajo e Hagës, Ruandës e tjera.

Kjo Gjykatë, ka vijuar profesori Salihu, do të trajtoj rastet e viteve 1998-99 e madje edhe ato të fazës së parë të pas luftës. Kurse mandati i saj pritet të jetë pesë vjeçar.

Statuti i kësaj gjykate, sipas Salihut, në fakt është ligj penal, ligj i procedurës penale dhe ligj për ekzekutimin e dënimeve.

“Kjo Gjykatë do të jetë jashtë kompetencave, pushtetit, juridiksionit të Kosovës. Kjo është gjykatë që do të ketë kompetenca sikurse edhe Tribunali i Hagës sepse do të punon sipas rregullativës juridike të vetën”.

“Organet tona, eventualisht policia e prokuroria do të kenë për detyrë të ndërmarrin ndonjë veprim, vetëm ata (ndërkombëtarët) që e kërkojnë. Të gjithë gjykatësit e prokurorët do të jenë ndërkombëtar si edhe gjykimet do të bëhen jashtë territorit të Republikës së Kosovës”, ka thënë Salihu.

Themelimi i një Gjykate të veçantë për krime lufte, është pasojë e dështimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë, por një pjesë të madhe të fajit e bartin edhe ndërkombëtarët, ka deklaruar në vijim, profesori Ismet Salihu.

“Në këtë dështim të instalimit dhe efikasitetit të sistemit të drejtësisë në Kosovë, një pjesë të madhe të fajit e kanë edhe ndërkombëtarët, për shkak se ata që nga çlirimi i Kosovës, pavarësisë së saj, por edhe më pas kanë pasur rolin kryesor në sajimin ndërtimin dhe konsolidimin e sistemit gjyqësor. Përveç kësaj, ata kanë pasur ingerenca, pushtet, juridiksion që çdo lloj krimi, sidomos këto të rëndat, t’i gjykojnë vet. Kështu që ky dështim është edhe i tyre dhe nuk është vetëm i kosovarëve”, ka deklaruar Salihu.

Pas përgatitjes së infrastrukturës ligjore, Gjykata Speciale pritet të themelohet me vendimin e institucioneve, qeverisë dhe Kuvendit. Sfida më e madhe e themelimit të saj, parashihet pjesa që kërkon amandamentimin e Kushtetutës, për të cilën qeveria duhet të siguroj mbështetjen e të paktën 80 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Nga ana praktike, themelimi i kësaj gjykate cilësohet si një prej sfidave më të mëdha të vitit, pasi që ajo pritet të kthej sërish në gjykim raste të dyshuara të krimeve të luftës dhe gjykimin e tyre jashtë territorit të Kosovës.

Partitë opozitare tashmë janë pozicionuar kundër dhe kanë paralajmëruar se nuk do të votojnë për themelimin e saj.

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Legjislacion, Albulena Haxhiu,deputete e Lëvizjes Vetëvendosje ka paralajmëruar se jo vetëm që do të kundërshtohet me votë themelimi i kësaj Gjykate, por si kryetare e Komisionit nuk do të lejoj procedimin në Kuvend të propozimeve që do të binin ndesh me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

“Kjo (Gjykatë speciale) është jashtë rregullimit juridik të institucioneve tona dhe si rrjedhojë është edhe jo kushtetuese. Nëse ka pasur individ brenda Ushtrisë Çlirimtare të cilët paskan kryer, siç po thuhet krime, atëherë ata duhet të hetohen nga prokuroria vendore dhe jo nga Gjykata Speciale e cila po thuhet se duhet të themelohet”, ka theksuar deputetja Haxhiu.

Ideja për themelimin e një Tribunali Ndërkombëtar për Kosovën që më vonë u quajt Gjykata e veçantë apo speciale, fillimisht ishte prezantuar se ka rrjedhë në bazë të hetimeve të iniciuara nga Këshilli i Evropës, që si bazë kishin dyshimet e supozuara të zviceranit Dick Marty, mbi trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në bazë të këtyre supozimeve, prokurori amerikan Clint Williamson, ka zhvilluar edhe një hetim të gjerë.

E veçanta e funksionimit të kësaj Gjykate do të jetë roli i prokurorëve dhe gjykatësve ndërkombëtar dhe trajtimi i rasteve jashtë Kosovës, për të shmangur presionet dhe ndërhyrjet në punën e gjyqësorit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ekipi-special-per-gjykaten-speciale/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala