Egjipti ndërton kryeqytet të ri, ja si do të duket dhe sa do të kushtojë (Foto)

Autori:Avdyl Pajaziti

Qeveria egjiptiane ka bërë të ditur planet për të ndërtuar një kryeqytet të ri në lindje të aktualit, Kajro.

Ministri i Strehimit të Egjiptit, Mostafa Madbouly, tha se projekti do të kushtonte 45 miliardë dollarë dhe do të duheshin nga pesë në shtatë vjet për t’u përmbushur.

Ai tha se qëllimi ishte lehtësimi i dyndjes dhe i mbipopullimit të Kajros për 40 vitet e ardhshme. Lajmërimi u bë në një konferencë investimi, që synon të rigjallërojë ekonominë egjiptiane.

Mbledhja, në resortin e Detit të Kuq të Sharm el-Sheikh, ka tërhequr premtime me vlerë 12 miliardë dollarë në ndihmë dhe investim nga Kuvajti, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Ministri Madbouly tha se popullata e Kajros vlerësohej në 18 milionë dhe pritej të dyfishohej brenda 40 viteve. Parlamenti egjiptian dhe departamentet e ministritë e tij qeveritare, si dhe ambasadat e huaja, do të zhvendosen në metropolin e ri, tha ai. “Po flasim për një kryeqytet botëror”, shtoi ministri egjiptian.

Ndërtuesit thonë se qyteti i ri, emri i të cilit nuk është zbuluar ende, do të përfshijë rreth 2000 shkolla e universitete dhe më shumë se 600 ndërtesa të kujdesit shëndetësor. Ata thonë se projekti do të krijojë më shumë se një milion vende pune. Kryeqyteti i ri është planifikuar të ndërtohet në 700 kilometra katrorë dhe do të strehojë rreth pesë milionë banorë. Planifikuesit thonë se zona e propozuar për qytetin ndodhet në korridorin midis Kajros dhe Detit të Kuq, duke provuar lidhje me rrugë të rëndësishme tregtare. Kryeqyteti do të ndërtohet nga “Capital City Partners”, një fond investimi privat i pronave të paluajtshme, i drejtuar prej Emiratit Mohamed Alabbar. Biznesmeni nga Dubai, Alabbar, ndërtoi ndërtesën më të lartë në botë, Burj Khalifa.

“Zgjerimi natyror”

“Është një zgjerim natyral për qytetin e Kajros”, tha Alabbar në një intervistë për BBC, duke u shprehur se projekti i ri do të ishte buzë qytetit ekzistues. “Është një mundësi e mrekullueshme për të qenë në gjendje të projektohet diçka nga fillimi dhe të projektohet duke pasur në mendje nevojat e egjiptianëve dhe qeverisë.” Ai tha se ndërtuesit do të përdornin teknikat më të përparuara të dizajnimit në këtë projekt, që qyteti të gdhendej në besimin dhe krenarinë e egjiptianëve. Kryeqyteti i ri mbetet ende pa një emër, por ngjan me një version egjiptian të Shangri La. Ai po ndërtohet si një qytet i zhvillimit të qëndrueshëm dhe inteligjent. Nëse dhe kur të mbarohet, pasi do të duhen vite, ai do të jetë në përmasat e Singaporit, me një aeroport më të madh sesa Heathrou. Ideja është joshja e egjiptianëve për t’u larguar nga situata kaotike e Kajros, ku dyndja dhe ndotja duken po aq të zakonshme sa ujërat e Nilit. Autoritetet thonë se kryeqyteti i ri do të nxisë një rilindje të ekonomisë. Ndoshta, por vendasit kujtojnë projekte të tjera po kaq joshëse, të cilat kanë mbetur në të shkuarën. Burokracia egjiptiane mund të jetë po aq rezistente sa piramidat. Presidenti Abdul Fattah al-Sisi nuk mund ta përballojë këtë dështim. Pa progres të dukshëm në ekonomi mund të ketë më shumë trazira përpara. Kjo lëvizje ndjek ato të shteteve të tjera, përfshirë Brazilin dhe Nigerinë, që e ndryshuan kryeqytetin e tyre. Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka vlerësuar reformat e fundit ekonomike në Egjipt dhe nxiti bizneset të investojnë në vend për ta çuar më përpara zhvillimin. Kerry mori gjithashtu pjesë në konferencën ekonomike në Sharm el-Sheikh, për të diskutuar mënyrat e rigjallërimit të ekonomisë egjiptiane. Dhjetëra projekte të infrastrukturës madhore janë zbuluar, duke tërhequr miliarda dollarë investime të huaja. Arabia Saudite, Kuvajti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë hedhur 4 miliardë dollarë investime në Egjipt. Konferenca vjen disa vite pas tensioneve të mëdha politike në Egjipt. Investimet e huaja u tkurrën që prej kryengritjes së vitit 2011, nga 13 miliardë dollarë në 2007-2008, në vetëm 2.2 miliardë dollarë, ndërsa rritja e përvitshme ekonomike nga 7 për qind, në rreth dy për qind. Fondi Monetar Ndërkombëtar tani parashikon 3.8 për qind rritje për vitin financiar deri në korrik 2015, dhe 4.3 për qind në 2015-2016. Investimi i huaj direkt ishte 4 miliardë dollarë në vitin e mëparshëm financiar dhe ministri i Investimit, Ashraf Salman, thotë se do të jetë rreth 8 miliardë dollarë në këtë vit financiar.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/egjipti-nderton-kryeqytet-te-ri-ja-si-do-te-duket-dhe-sa-do-te-kushtoje-foto/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala