Egërsia, si fat dhe varr i turizmit shqiptar

Autori:Avdyl Pajaziti

Ka një reagim folklorik ndaj masakrës së ndodhur në Dukagjin ndaj dy turistëve çek. Një furtunë popullore që kujton dhe rikujton besën, mikpritjen, traditën, Rozafën etj. Masakra, e cila nuk është e para, po përsërit një problem real që ka Shqipëria jourbane dhe një kontradiktë mes përpjekjes për të shfrytëzuar virgjërinë e prapambetjes për turizëm dhe fuqinë tonë urbane, për ta kthyer atë në një histori suksesi.

Turizmi malor ka vite që po lulëzon në Theth dhe Valbonë për shkak të asaj çka na ka falur Zoti, por jo për shkak të banorëve të zonës aty. Një bum i tillë turizmi, sidomos ai i vitit të kaluar, ka tejkaluar turizmin spontan dhe është kthyer në një trend me perspektiv për zonën.

Nga ky moment ne duhet të reagojmë si një shtet dhe shoqëri urbane për të ardhmen e turizmit aty.

Së pari, duhet të pajiset gjithë zona me gudia dhe shoqërues të liçensuar, që çdo turist të mos ketë kontakte të rastësishme dhe shoqërues rasti, të cilët mund të prodhojnë gjëma të tilla. Prapambetja e zonës është fati dhe varri i atij turizmi. Është fati, pasi turistët vijnë aty të shikojnë një muze të paprekur të Shqipërisë së virgjër dhe është varri pasi aty përveç maleve të egra, ka dhe plotë njerëz të tillë, të cilët detyra jonë nuk është tu kujtojmë besën dhe mikpritjen, por ligjin dhe shtetin.

Ligji dhe shteti tregohen duke e kthyer turizmin në atë zone në një biznes të kontrolluar nga rregullat dhe ligjet, që garantojnë sigurinë. Ekipet e shpëtimit, udhërrëfyesit e shtigjeve malore dhe deri të zotët e bujtinave, duhet të liçensohen, të jenë në sistem dhe të verfikueshëm në çdo moment. Turistët duhet të udhëzohen të kontaktojnë vetëm guida të liçensuara dhe të njohur nga autoritet lokale dhe qëndrore të turizmit, ndërkohë që policia duhet të marrë rol specifik në periudhën e turizmit.

Legjendet e besës dhe mikpritjes apo zakonet e gjakmarrjes dhe kullat e ngujimit na shërbejnë për histori dhe letërsi që nxitë turizmin, por nuk na shërbejnë si realitet. Ndaj një shëmtie të tillë, të neveritshme nuk duhet reaguar duke evokuar historinë tonë të stisur, por duke dëshmuar fuqinë e një shteti dhe shoqërie moderne që garanton sigurinë fizike të çdo turisti që shkel në këtë vend.

Ne nuk kemi shumë shanse të ofrojmë turizëm elitar. Por nga ana tjetër nuk kemi as ndonjë degë më fitmiprurëse se turizmi. Turizmi ynë malor dhe ai i detit kanë nevojë mbi të gjitha për siguri. Shqipëria duhet ta shpallë prioritet kombëtar sigurinë e çdo turisti të huaj, në vend që ta shikojë çdo turist të huaj si gjah për ta plaçkitur.

Masakra e Dukagjinit është ekstreme, por në mentalitetin e plaçkitjes së turistit marrim pjesë të gjithë si komb. E fillojmë me policë në rrugë, që sapo shikojnë makina me targa të huaja u bëjnë shenjë gjithë fodullëk të hapin krahun e u kërkojnë letra derisa ua marrin ato pesë a dhjetë euro me zor, e deri tek ata që u shesin “sapunin për djath” me kushtet aspak normale të shërbimit dhe gjobat në faturat e ushqimit.

Ne kemi pak gjëra për t’i bindur të huajt të vijnë në këtë vend. Një pasuri që na ka mbetur pa e dashur është varfëria dhe atë duhet të dijmë ta shfrytëzojmë, duke e menaxhuar me modesti dhe njerzillëk. Turizmi ynë duhet të ofrojë çmime të ulëta dhe siguri, për të konkurruar gjithkënd që ka luks rreth nesh. Nëse ia arrijmë kësaj, mund t’ia dalim të përdorim varfërinë dhe prapambetjen tonë për të ecur përpara. Nëse jo, ato do të na tërheqin pas në humnerën ku zhdukëm dy çek të mirë, që erdhën në këtë vend të provonin adrenalinën e turizmit malor dhe mbetën peng të ëndrrës së tyre.

Reagimi si shoqëri moderne dhe e sigurtë ndaj këtij akti, është një provë që duhet ta kalojmë, për të mos u klasifikuar si vend fisesh të egra. Legjendat me besë e mikpritje, nuk i vlejnë askujt dhe nuk përbëjnë as arsye për tu vajtuar dhe as për tu mburrur. Vrasësit nuk janë as në dijeni të tyre dhe as në dijeni të famës së shpikur të tyre. Vrasësit janë një tufë egërsirash që duhen lidhur si gjithkund në botë. Nëse i lëmë të lirë dhe nëse u besojmë atyre rastësitë e turizmit në këtë vend, jo turizëm që nuk do të kemi, por as siguri për veten tonë.

Ka plot vende në botë që janë të famshme si destinacione turistike të virgjëra dhe plot surpriza, por askush nuk ua ka besuar turistët fiseve të egra që rrethojnë ato destinacione, por shtetit dhe strukturave të kualifikuara të turizmit. Nëse nuk e shpallim turistin e huaj pasuri kombëtare që mbrohet nga shteti dhe respektohet ligjërisht qysh kur shkel tokën shqiptare, nuk do të vajtojmë vetëm për besë e burrëri të shkelur, por dhe për varfëri që do na pres tek dera si vend i egër dhe i pandreqshëm, ku nuk ka për të na shkelur askush në derë.

Prapambetja jonë në zhvillim sot ka shansin të kthehet në pasuri turistike, por prapambetja jonë njerëzore në zonat jourbane nuk është mall që shitet, por mall që duhet izoluar për të mbrojtur turizmin malor dhe çdo lloj tjetër turizmi në Shqipëri. Pastaj kemi kohë të rishkruajmë legjenda për besë dhe burrëri, pasi të rrallohen lajme si ajo e Dukagjinit.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/egersia-si-fat-dhe-varr-i-turizmit-shqiptar/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala