Efektet e reformave fiskale në zhvillimin e sektorit privat

Autori:Avdyl Pajaziti

Në mars të këtij viti, Qeveria e Kosovës mori vendime për ndryshime fiskale të cilat kanë të bëjnë me aprovimin e projektligjeve të reja të: Tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH), tatimit në të ardhurat e korporatave dhe tatimit në të ardhurat personale.

Ndryshimet më të mëdha sa i përket këtyre projektligjeve pritet të ndodhin tek Projektligji për TVSH-në, ku ulet pragu i TVSH-së nga 50 mijë euro sa është në ligjin aktual në 30 mijë euro. Pra çdo biznes, i cili realizon qarkullim mbi 30 mijë euro brenda vitit, do të detyrohet të regjistrohet për TVSH dhe të paguajë për pjesën, e cila tejkalon këtë shumë.

Në analizën e Institutit GAP mbi “Efektet e reformave fiskale në zhvillimin e sektorit privat”, thuhet se buxheti i Kosovës do të përfitojë nga kjo ulje e pragut të TVSH-së, ngase një numër më i madh i bizneseve do të detyrohen të paguajnë TVSH.

“Në anën tjetër kjo politikë fiskale do të rëndojë mbi bizneset e reja dhe të vogla, veçanërisht të atyre të shërbimeve të cilat kanë nivel më të vogël të furnizimeve. Janë pikërisht bizneset e reja të cilat kanë nevojë për lehtësira fiskale dhe të cilat potencialisht krijojnë vende të reja pune”, thuhet në analizën e institutit GAP.

Numri i bizneseve të cilat kanë paguar TVSH në vitin 2014 ka qenë 14,560, ndërsa vendimi për uljen e pragut do të rrisë këtë numër për 1,800, pra në 16,360 biznese.

Sipas GAP-it, një ndryshim tjetër, i cili pritet të ketë efekt të kundërt me atë të uljes së pragut për pagesën e TVSH-së, është lirimi nga TVSH i këtyre kategorive të produkteve: Linjat e prodhimit dhe makineritë për përdorim në procesin e prodhimit; lënda e parë që shfrytëzohet për procesin e prodhimit; dhe pajisjet e teknologjisë informative.

Sipas një vlerësimi të Ministrisë së Financave bizneset do ta kenë për rreth 27.6% më lirë fillimin e procesit të prodhimit. Instituti GAP e përkrah këtë vendim të Ministrisë së Financave dhe Qeverisë së Kosovës për arsye se:

Sektori privat në Kosovë është një sektor i ri dhe shpesh ka pamundësi për të garuar me produktet e importuara, prandaj kjo politikë fiskale pritet të përmirësojë konkurrencën e prodhimeve kosovare si në tregun vendor ashtu edhe atë të jashtëm. Rritja e konkurrueshmërisë së produkteve kosovare është e një rëndësie të madhe kur kemi parasysh se deficiti e tregtarë shkon deri në 40% të bruto produktit vendor (BPV);

Mund të nxisë investime më të mëdha në prodhim dhe gjenerohen vende të reja pune të cilat janë shumë të nevojshme për gjendjen ekonomike dhe sociale të vendit ku papunësia shkon deri në 30% të fuqisë aktive punëtore; dhe përmirëson likuiditetin e bizneseve.

Lirimi nga TVSH për secilin produkt do të bëhet nga një komision i cili pritet të definohet me udhëzim administrativ. Ligji i ri pritet të sjellë edhe lehtësira procedurale pasi largon detyrimin për nxjerrje të certifikatës për import dhe eksport në ATK.

Ndryshimet tjera fiskale

Po ashtu Qeveria e Kosovës mori vendim edhe për ndryshimin e Ligjit për tatimin në të ardhurat e korporatave (TAK) dhe tatimit në të ardhurat personale (TAP).

Që nga janari 2009, shkalla e tatimit në të ardhurat e korporatave në Kosovë është zbritur nga 20% në 10%. Nga 1 janari 2010, Qeveria e Kosovës me anë të ligjit të ri për TAK ka larguar tatimin në dividendë të marrë nga tatimpaguesit rezident dhe jo rezident, ndërkohë që shkalla e tatimit në të ardhurat e korporatave mbetej 10%.

Në projektligjin e ri për TAK-un, Qeveria e Kosovës ka rikthyer tatimin në dividendë prej 10%, ndërsa tatimi në të ardhurat e korporatave ka mbetur i pandryshueshëm nga ligji i vitit 2010 (10%).

“Është me rëndësi të theksohet se tatimi në dividendë vendoset në kohën e pagesës apo kreditimit. Pra në rast se nga ana e aksionarit vendoset që dividenda të ri-investohet, atëherë subjekti juridik është i liruar nga tatimi. Në parim, kjo politikë nxit rritjen e investimeve kapitale dhe gjenerimin e vendeve të reja të punës.

Mirëpo nëse kemi parasysh një studim të bërë me katër industritë më të mëdha prodhues, është gjetur se përgjysmimi i tatimit në korporata në vitin 2009 nga 20 në 10% nuk ka pasur ndonjë efekt në rritjen e këtyre industrive. Prandaj, edhe ky ndryshim nuk pritet të ketë ndonjë efekt të madh në rritjen e investimeve nga ana e korporatave të cilat veprojnë në Kosovë”,thuhet në analizën e GAP-it.

Megjithëse vendosja e tatimit në dividendë mund të mos ketë ndonjë efekte tek bizneset, ky tatim siguron një barazi në mes të personave që realizojnë të hyra nga pagat dhe që tatohen në bazë të ligjit për TAP-in dhe atyre që do të realizojnë të hyra nga dividenda.

Sa i përket Ligjit për të ardhurat personale (TAP), ky ligj nuk ka ndonjë ndryshim thelbësorë në shkallën e tatimit. Disa prej ndryshimeve në ligjin e ri janë: Është rritur maksimumi i shpenzimeve të përjashtuara për trajnim nga 1 mijë në 3 mijë euro në rast se ato bëhen jashtë vendit; shpenzimet e lejuara për zbritje të përfaqësimit janë ulur nga 2 në 1%; zbritjet e lejuara për aktivitete bamirësie janë rritur në 10% etj.

GAP-i ka dhënë rekomandimet ku theksohet se pragu i TVSH-së duhet të përcaktohet në përputhje me incentivat për krijimin e vendeve të reja të punës dhe për këtë arsyeje duhet të kthehet në vlerën prej 50 mijë euro; Qeveria e Kosovës krahas ndryshimeve fiskale duhet të marrë masa që të përmirësojë sundimin e ligjit, si një faktorë i cili ka ndikim të madh në rritjen e investimeve vendore dhe të huaja; para dhe pas implementimit të këtyre politikave fiskale, Ministria e Financave duhet të vlerësojë përkatësisht monitorojë në mënyrë të vazhdueshme efektet e këtyre reformave në rritje të investimeve dhe punësim.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/efektet-e-reformave-fiskale-ne-zhvillimin-e-sektorit-privat/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala