Edukim për përfitim: Shkolla me një dollarë në javë

Autori:Avdyl Pajaziti

Përgjatë autostradës në hapësirat e Muthaiga Country Club të Nairobi gjendet Mathare, një lagje e varfër që shtrihet aq sa mund të shohë syri. Edhe pse Mathare praktikisht nuk ka shërbime të tilla si rrugë të shtruara apo kanalizime, ajo ka një numër të madh dhe në rritje klasash. Jo për shkak të shtetit, gjysmë milion banorët e distriktit kanë vetëm katër shkolla publike – por për arsye se sektori privat është zhvendosur aty. Mathare krenohet me 120 shkolla ​​private, shkruan The Economist.

Ky model përsëritet nëpër të gjithë Afrikën, Lindjen e Mesme dhe Azinë Jugore. Dështimi i shtetit për t’u siguruar fëmijëve një arsim të mirë po udhëheq drejt zgjerimit të institucioneve private, të cilat mund të kushtojnë aq pak sa një dollarë në javë.

Një pjesë e mirë e prindërve, të cilët i dërgojnë fëmijët e tyre në këto shkolla, e mirëpresin një situatë të tillë. Por qeveritë, sindikatat e mësuesve dhe OJQ-të mendojnë se arsimi privat duhet të dekurajohet ose të menaxhohet rreptësisht. Kjo duhet të ndryshojë.

 Shkumësa dhe pagesa

Arsimi në pjesën më të madhe të botës në zhvillim është tronditës. Gjysma e fëmijëve në Azinë Jugore dhe një e treta e atyre në Afrikë që përfundojnë katër vjet të shkollimit nuk mund të lexojnë si duhet. Në Indi, 60% e 6-14-vjeçarëve nuk mund të lexojnë në nivelin e një fëmije që ka përfunduar dy vite shkollë.

Shumica e qeverive ka premtuar të sigurojë arsimimin fillor universal dhe të promovojë arsimin e mesëm. Por edhe në rastet kur ekzistojnë shkollat ​​publike, ato shpesh dështojnë. Në një studim mbi shkollat rurale indiane, një e katërta e mësuesve mungonin. Në Afrikë, Banka Botërore zbuloi se norma e mungesës së mësuesve varionte nga 15 deri në 25%. Pakistani kohët e fundit ka zbuluar se kishte mbi 8,000 shkolla jo-ekzistente shtetërore, 17% të totalit. Sierra Leone identifikoi 6,000 mësues ‘fantazmë’, gati një e pesta e numrit në listën e pagave të shtetit.

Sindikatat e mësuesve të fuqishëm janë pjesë e problemit. Ato shpesh i perceptojnë vendet e punës si benefite të trashëguara, buxhetin e arsimit të shtetit si të ardhura ‘për t’u mjelë’ dhe çdo përpjekje për të monitoruar cilësinë e arsimit si një ndërhyrje. Sindikatat mund të jenë armiq tepër të frikshëm, kështu që qeveritë i lejojnë ato të drejtojnë shkollat në interes të mësuesve dhe jo të nxënësve.

Dështimi i arsimimit shtetëror, kombinuar me zhvendosjen në ekonomitë në zhvillim nga bujqësia në punët që kanë nevojë për të paktën pak arsimim, ka shkaktuar një bum të shkollave private. Sipas Bankës Botërore, në të gjithë botën në zhvillim, një e pesta e nxënësve të shkollave fillore, janë regjistruar në shkolla ​​private, dy herë më shumë se 20 vjet më parë. Kështu, shumë shkolla private janë të paregjistruara saqë shifra e vërtetë ka të ngjarë të jetë shumë më e lartë.

Një census në Lagos zbuloi 12,000 shkolla ​​private, katër herë më shumë se në të dhënat e qeverisë. Nëpër Nigeri, 26% e fëmijëve në moshë për shkollë fillore ishin të regjistruar në shkolla ​​private në vitin 2010, nga 18% në vitin 2004. Në Indi, në vitin 2013, rezultonin 29%, nga 19% në vitin 2006. Në Liberi dhe Sierra Leone respektivisht rreth 60% dhe 50% e regjistrimeve të shkollave të mesme janë private.

Në përgjithësi, politikanët dhe pedagogët nuk janë aspak entuziastë. Qeveritë e shohin shkollimin si detyrë të shtetit. Sindikatat e mësuesve nuk i pëlqejnë shkollat ​​private, sepse ato paguajnë më pak dhe janë më të vështira për t’u organizuar. OJQ-të priren të jenë ideologjikisht kundër sektorit privat. Raportuesi i posaçëm i OKB-së për arsimin, Kishore Singh, ka thënë se ‘edukimi për përfitim nuk duhet të lejohet në mënyrë që të mbrohet kauza fisnike e arsimit’.

Ky qëndrim dëmton ata që pedagogët pretendojnë se i shërbejnë: fëmijët. Bumi në arsimin privat është një lajm i shkëlqyer për ta dhe vendet e tyre, për tri arsye.

Së pari, ai sjell para – jo vetëm nga prindërit, por edhe nga investitorët, disa në kërkim të fitimit. Shumica e shkollave private në vendet në zhvillim janë operatorë të vetëm që ‘ngarkojnë’ pak dollarë në muaj, por tanimë po shfaqen ‘zinxhirët’.

Bridge International Academies, për shembull, ka 400 çerdhe dhe shkolla fillore në Kenia dhe Uganda, të cilat mësojnë në klasa të standardizuara që duken më tepër si kontejnerë të anijeve bërë pirg. Ajo planifikon të zgjerohet në Nigeri dhe Indi. Mark Zuckerberg, themeluesi i Facebook, Bill Gates dhe Korporata Financiare Ndërkombëtare, krahu i sektorit privat të Bankës Botërore, bëjnë pjesë në mesin e investitorëve të saj.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/edukim-per-perfitim-shkolla-me-nje-dollare-ne-jave/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala