Edhe një kallëzim penal ndaj Ramadan Mujës

Autori:Avdyl Pajaziti

Policia e Kosovës ka paraqitur kallëzim penal ndaj kryetarit Muja dhe kryetarit të degës së PDK-së në Prizren, Minir Krasniqi.

Muja e Krasniqi dyshohen për kryerje të veprave penale të lidhjes së kontratës së dëmshme dhe keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, raporton Kallxo.com.

Si Muja ashtu edhe Krasniqi kanë qenë pjesë e një aktakuze dhe janë dënuar nga gjykata e Prizrenit në mars të vitit të kaluar, por rasti është në pritje të shqyrtimit nga Gjykata e Apelit.

Në rast të konfirmimit të vendimit të gjykatës, Prizreni do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar të komunës.

Ndërsa në dosjen e lëndës së re të siguruar nga Kallxo.com, thuhet se më 20 tetor 2014, policia ka pranuar autorizim nga Prokuroria Themelore e Prizrenit për ndërmarrjen e disa veprimeve hetimore lidhur me dyshimin e bazuar se zyrtarët Ramadan Muja e Minir Krasniqi nga Prizreni, kanë kryer dy vepra penale.

Në kallëzimin penal të policisë thuhet se nga veprimet hetimore të ndërmarra shihet se ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit e paraqitur në këtë kallëzim penal në cilësinë e personave zyrtarë kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat e tyre.

Të dyshuarit duke mos respektuar procedurat e dhënies në shfrytëzim të pronës së paluajtshme komunale si parashihet me ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, kanë dhënë në shfrytëzim pronën e paluajtshme komunale, e evidentuar si ngastër kadastrale me numër 7140/1, në sipërfaqe prej 34. 03 ari dhe ngastrën me numër 7141, në sipërfaqe 47,93 ari dhe rrugë afër 400 metra katrorë, apo në sipërfaqe të përgjithshme prej 85, 96 ari me disa objekte përcjellëse për një kompani.

Kallxo.com ka siguruar edhe shkresa e detaje tjera rreth kësaj lënde dhe ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e Komunës së Prizrenit, Ymer Berisha, i cili njëherit është edhe këshilltar politik i kryetarit Muja i cili tha se zyrtarisht komuna nuk është e njoftuar për ndonjë proces hetimor ndaj zyrtarëve të saj.

“Ne nuk kemi marrë asnjë shkresë zyrtare, e cila do të na njoftonte për fillimin e ndonjë procesi hetimor, mirëpo konsiderojmë se organet e hetuesisë dhe gjyqësori janë organe të pavarura për të vepruar pa u penguar nga askush”, tha Berisha për Kallxo.com.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/edhe-nje-kallezim-penal-ndaj-ramadan-mujes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala