Edhe Ban Ki-moon dënon dhunën në Kuvend

Autori:Gazeta Fjala

Sekretari i Përgjithshëm Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon në raportin e tij më të ri për zhvillimet në Kosovë ka dënuar përdorimin e dhunës nga partitë opozitare.

Ndërsa, Ban ka përshëndetur dialogun në Bruksel dhe marrëveshjen mbi krijimin e Asociacionit të komunave serbe.

“E dënoj përdorimin e dhunës dhe frikësimin nga partitë opozitare që pengojnë punimet normale të Kuvendit të Kosovës, si dhe sulmet e papranueshme fizike nga ana e aktivistëve të opozitës drejtuar Kryeministrit dhe anëtarëve të qeverisë,” thekson në raport Sekretari Ban.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë të përmbahen nga retorika dhe veprimet që janë të papajtueshme me parimet dhe normat e një shoqërie të civilizuar dhe demokratike.

“Aktet e tilla dëmtojnë besimin e publikut në këto institucione si dhe imazhin e Kosovës në botë. U bëj thirrje sidomos aktorëve politikë të opozitës që të përmbushin detyrat e tyre me përgjegjësi dhe pjekuri, duke respektuar plotësisht procesin demokratik dhe institucionet për të cilat janë zgjedhur”, thekson Ban.

Sekretari i Përgjithshëm edhe njëherë i është rikthyer dialogut në Bruksel duke e përshëndetur siç thotë, ‘përparimin e vazhdueshëm dhe marrëveshjet e arritura në mes Beogradit dhe Prishtinës e në veçanti parimet e përgjithshme dhe elementët kryesorë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.‘

Ai thotë se themelimi i këtij associacioni është ‘një hap thelbësor drejt zbatimit të plotë të kësaj marrëveshje historike dhe përmirësimit të mëtejshëm të jetës e përditshme të popullatës së Kosovës.’

Sekretari Ban përgëzon kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë në kryerjen e këtij procesi dhe inkurajon ‘të gjithë liderët në Prishtinë dhe Beograd që të mbështesin finalizimin e statutit të associacionit të komunave sipas kornizës së dakorduar kohore si dhe të sigurojnë zbatimin e shpejtë të të gjitha marrëveshjeve të përfshira në pakon e 25 gushtit.

Sekretari i Përgjithshëm gjithashtu ka përshëndetur ‘miratimin e shumëpritur të amendamentit kushtetues dhe ligjet e tjera për krijimin e Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës,’ duke e quajtur këtë ‘një progres vendimtar për të demonstruar përkushtimin e Kosovës ndaj parimeve themelore të drejtësisë dhe llogaridhënies.’

Nën presidencën e Britanisë së Madhe për këtë muaj, anëtarët e Këshillit të Sigurimit  do të debatojnë dhe vlerësojnë zhvillimet tremujore të prezantuara në këtë raport të enjten më 19 nëntor./RTK/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/edhe-ban-ki-moon-denon-dhunen-ne-kuvend/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala