E mbijetuara e masakrës rrëfen si ushtarët serbë ia vranë djalin

Autori:Avdyl Pajaziti

Në gjykimin e dy oficerëve serbë të akuzuar për vrasjen e 27 njerëzve në fshatin Trnje të Kosovës në vitin 1999, një dëshmitare rikujtoi se si trupat e Ushtrisë Jugosllave vranë djalin e saj 7-vjeçar.

Hamide Gashi, një dëshmitare shqiptare e Kosovës në gjyqin për krime lufte të oficerëve të ushtrisë Pavle Gavrilovic dhe Rajko Kozlina, i tha gjykatës speciale me bazë në Beograd të mërkurën se trupat e Ushtrisë Jugosllave qëlluan fëmijën e saj gjatë sulmit më 25 mars 1999.

Gashi dëshmoi se ajo fillimisht e pa ushtrinë rreth orës 6 të mëngjesit, dhe rreth gjysmë ore më vonë trupat hynë në kopshtin e shtëpisë ku ajo po rrinte me familjen e saj dhe fshatarët e tjerë.

“Djali im shtatë vjeçar u përpoq të vinte tek unë dhe Shemsie (tjetër fshatare në Trnje) u përpoq ta mbronte atë. Në atë moment ushtari qëlloi dhe i vrau ata,” tha Gashi.

Menjëherë pas kësaj, ajo u largua nga fshati dhe shkoi në Shqipëri dhe u kthye vetëm në qershor të vitit 1999, kur ajo gjeti eshtrat e birit të saj dhe dy personave të tjerë të vrarë në shtëpinë dhe kopsht ku ata rrinin.

“Shtëpia u dogj. Ne gjetëm vetëm eshtra,” tha ajo.

Sipas aktakuzës, Kozlina dhe Gavrilovic vranë 27 njerëz, përfshirë një djalë katër vjeçar gjatë sulmit në Trnje.

Gavrilovic, një komandant i një njësie në Brigadën 549 të Ushtrisë Jugosllave, akuzohet për urdhërim të sulmit dhe se ka thënë se “nuk duhet të ketë të mbijetuar”.

Gavrilovic akuzohet gjithashtu se ka ndarë njerëzit e tij në tre grupe, Kozlina ishte në njërin prej tyre, dhe i urdhëroi ata të hynin në fshat dhe të spastronin etnikisht zonën.

Kozlina, së bashku me tre ushtarë të tjerë, hapën zjarr mbi 18 civilë, duke përfshirë gra dhe fëmijë, duke vrarë 16 prej tyre, pretendon aktakuza.

Civilë të tjerë u qëlluan në disa shtëpi të tjera në fshat, thuhet gjithashtu në të.

Gjylie Gashi, një tjetër dëshmitare, i tha gjykatës të martën se ajo pa ushtarë të qëllonin dhe shkatërronin shtëpi në fshat. Së bashku me disa njerëz të tjerë, ajo u përpoq të arratisej, por u kap.

“Ata na mbajtën për rreth 20 minuta. Atëherë pashë Rajko Kozlinan, ai ishte me uniformë me rreth shtatë apo tetë ushtarë të tjerë. Dukej sikur ishte kryesori aty sepse fliste më shumë,” tha ajo.

Dëshmitari Bekim Gashi dëshmoi se përveç trupave të Ushtrisë Jugosllave, ai pa gjithashtu policinë serbe.

“Ne dëgjuam një zhurmë në rrugë. Dola nga shtëpia dhe pashë se policia dhe ushtria na kishin rrethuar,” tha Gashi në gjykatë, duke shtuar se ai pa ushtarë t’i vinin zjarrin një stalle kafshësh dhe traktorësh aty pranë.

Vrasjet në Trnje ishin gjithashtu pjesë e aktakuzës për krime lufte të ngritur nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë kundër gjashtë ish-zyrtarëve të Beogradit – presidentit serb Milan Milutinovic, zv/kryeministri jugosllav Nikola Sainovic, komandantët e Ushtrisë Jugosllave Nebojsa Pavkovic dhe Vladimir Lazarevic, gjeneralin e përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave Dragoljub Ojdanic, dhe ministri i punëve të Brendshme, Sreten Lukic.

Të gjithë ata, përveç Milutinovicit, u shpallën fajtorë për “një fushatë të gjerë dhune kundrejt popullatës civile shqiptare të Kosovës, dhunë kjo e kryer nga forcat nën kontrollin e autoriteteve jugosllave dhe serbe, gjatë të cilës pati incidente të vrasje, sulme seksuale dhe shkatërrim të qëllimshëm xhamish.”

Veprimet e tyre bënë që të paktën 700,000 shqiptarët etnikë të largoheshin nga Kosova midis fundit të marsit dhe fillimit të qershorit 1999.

Dy anëtarë të Brigadës 549 të Ushtrisë Jugosllave dëshmuan në mënyrë anonime në gjyqin e Hagës.

Sipas dëshmive të tyre, rreth 80 deri në 100 ushtarë nga brigada hynë në Trnje nën komandën e Gavrilovicit, i cili para sulmit i drejtoi ushtarët në drejtim të fshatit dhe tha: “Sot askush nuk duhet të mbetet i gjallë këtu!”

Gavrilovic, i cili dëshmoi për mbrojtjen në Hagë, i mohoi akuzat, duke argumentuar se ai nuk urdhëroi sulmin.

Por gjykata pranoi dëshmitë e dëshmitarëve ndërsa i përshkroi provat e Gavrilovicit si “jobindëse dhe jo të besueshme”.
Gjyqi vazhdon më 27 nëntor. /kallxo.com/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/e-mbijetuara-e-masakres-rrefen-si-ushtaret-serbe-ia-vrane-djalin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala