Dyshohet për zhvarrosje të viktimave të luftës

Task Forca Speciale Hetuese ka dyshime se në Kosovë janë zhvarrosur dhe zhdukur trupa të të vrarëve gjatë luftës. Mbi këto dyshime është duke kryer hetime.
Nëse vërtetohet se ka pasur zhvarrime të tilla, pritet të ketë aktakuza. Baza ligjore për këtë tashmë është krijuar.
Ligji për Gjykatën Speciale, i sponsorizuar nga Bashkimi Evropian, pos veprave penale bazike që dalin nga veprat penale të krimeve të luftës, krime kundër njerëzimit dhe gjenocidit, ka futur në ligj edhe vepra nga Kodi Penal i Kosovës. Një prej tyre është dëmtimi i varreve dhe i kufomave.
Burime brenda Qeverisë të përfshirë në procesin e krijimit të Gjykatës Speciale kanë thënë në kushte anonimiteti se ka dyshime për veprime të tilla, për çka është duke hetuar Task Forca. Krijimi i projektligjit u është përshtatur veprave të mundshme penale. Listimi i tyre është bërë krejtësisht sipas kërkesës së Prokurorisë, shkruan Koha Ditore.