Dyndja e refugjatëve, Gjermania do të dërgojë policë në kufirin slloven

Autori:Gazeta Fjala

Gjermania po planifikon dërgimin e forcave policore në Slloveni për të ndihmuar autoritetet vendase t’i bëjnë ballë fluksit të pazakontë të emigrantëve të përplasur në portat e shtetit të vogël ballkanik.

Ndonëse destinacioni i këtij lumi njerëzor janë vendet e pasura në veri të Europës, Sllovenia, e gjendur papritur në mes të një ngërçi të shkaktuar fillimisht nga mbyllja e kufijve hungarezë e më pas, prej devijimit të kalimit të të ardhurve nga Kroacia, e ka të vështirë ta menaxhojë e vetme situatën.

Gazeta “Mitteldeutsche Zeitung” , ajo që dhe përcjell informacionin mbi këtë projekt të Berlinit, thotë se njoftimi është konfirmuar edhe nga ministria e Brendshme gjermane. “Është e qartë se do të përfshihemi”, ka qënë deklarata e zëdhënësit të kësaj ministrie. E njëjta gazetë përmend gjithashtu edhe paralajmërimin e kreut të sindikatës gjermane të policise Jörg Radek, që thotë se kapacitetet e forcave federale janë në limitet e tyre.

Kjo lëvizje e Berlinit vjen pas samitit të emergjences mes liderëve të BE-së dhe atyre të Ballkanit, që synonte pikërisht ravijëzimin e plani asistencë për shtetet e rajonit të tejngarkuara nga fluksi i azilkërkuesve. Takimi u përmbyll me pajtimin e pjesëmarrësve, mes të cilëve edhe përfaqësues nga Serbia e Maqedonia e kryeministri shqiptar Edi Rama, me një projekt 17 pikësh që parashikon një shtim të mbështetjes për vendet e Ballkanit që janë në rrugën e emigrantëve të nisur drejt Europes veriore.

Fill pas samitit, kryetari i komisionit europianJean -Claude Juncker njoftoi se 400 efektivë policie do të dislokohen brenda javës, ndërsa Agjencia e kontrollit kufitar të vendeve të bllokut, Frontex, do të ketë shtim të personelit.

Edhe pse në planin politik, lëvizjet brenda BE-së kanë nisur, Angela Merkel nuk e shijon dot plotësisht atë që kishte kërkuar me kohë: aktivizimin e vërtetë të anëtarëve të bllokut në krizën më të ngutshme të momentit. Qëndrimi i saj ndaj ngërcit të refugjatëve ka zemëruar shumë anëtarë të partisë së vet kristiandemokrate.

Rebeshi i kritikave ndaj kancelares shtohet çdo ditë e më shumë e së fundi, po bëhen gjithmonë e më të forta shenjat që paralajmërojnë një përçarje të thellë të CDU-së./TCH

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/dyndja-e-refugjate-gjermania-do-te-dergoje-police-ne-kufirin-slloven/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala