Dyfishohet trafikimi i njerëzve nga Ballkani e Lindja e Mesme në Gjermani

Autori:Gazeta Fjala

Raporti i ministrit të Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere, për krimin e organizuar në Gjermani, tregon një rritje të trafikimit të qënieve njerëzore.

Gjatë 2014-s janë regjistruar 2149 raste të tilla në vend, në një kohë kur një vit më parë shënoheshin rreth 1500, çfarë do të thotë shumë më pak.

Pesimistë në parashikimet e tyre, De Maiziere dhe presidenti i Entit Federal për Krimet, Holger Munch, presin shtim edhe më të madh të këtyre rasteve për vitin aktual. Megjithatë, ministri i hodhi poshtë prerazi thashethemet se, në kampet e refugjatëve ka forma të krimit të organizuar, si shantazh apo kërkim parash për mbrojtje.

“Për të tilla pretendime nuk ka prova konkrete, – tha ai, – ashtu siç nuk ka asnjë arsye për dyshime të përgjithshme ndaj refugjatëve”.

Munch, nga ana tjetër, sqaroi se në luftën kundër grupeve të trafikimit, Gjermania dhe EUROPOL-i, që po bashkëpunon me të, i kanë fokusuar më së shumti përpjekjet e tyre në Ballkan dhe Turqi.

Pjesa më e madhe e procedurave të hapura penale ka të bëjë me kontrabandën dhe tregtinë e lëndëve narkotike, ndërsa gati një në 5 procese lidhen me shkelje në fushën e pronës, ku përfshihen vjedhjet e banesave e të makinave.

Në shifrat e ofruara prej zyrtarëve të lartë vërehet një rënie e përqindjes së të dyshuarve vendas, ndërsa niveli i të dyshuarve jogjermanë të përfshirë në rastet e hetuara të kriminalitetit është rritur nga 59 në 62.6 për qind./TCH

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/dyfishohet-trafikimi-i-njerezve-nga-ballkani-e-lindja-e-mesme-ne-gjermani/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala