Duda Balje shpallet e pafajshme

Autori:Avdyl Pajaziti

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, sot është shpallur e pafajshme nga akuzat për mosraportim ose raportim të rremë të pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare.

Gjykatësi i Departamentit të Përgjithshëm, në Gjykatën Themelore të Prizrenit, Zejnulla Gashi, mori aktgjykim me të cilin e shpalli të pafajshme, duke e liruar nga akuza deputeten Duda Balje.

Një ditë më parë, në fjalën përfundimtare, prokurorja e shtetit Sahide Sefa, kishte thënë se gjatë gjykimit është vërtetuar kryerja e veprës penale nga deputetja Balje, ndërsa këtë e mbështeti në dëshminë e zyrtarit të Agjencisë Kundër Korrupsion si dhe provave tjera të administruara në gjykatë.

Ajo, i propozoi gjykatës që e pandehura Duda Balje të shpallet fajtore dhe të dënohet sipas ligjit.

Ndërsa Ruzhdi Berisha, avokati i Duda Baljes, i propozoi Gjykatës që të marrë aktgjykim lirues, me arsyetimin se në rastin konkret nuk ka ekzistuar elementi i dashjes, pa të cilin nuk mund të ekzistoj vepra penale.

Deputetja Balje, akuzohej nga Prokuroria e Shtetit se më 28 mars 2013 në kohë të papërcaktuar në Agjencinë Kundër Korrupsion në Prishtinë në cilësinë e zyrtares së lartë publike në formularin për deklarimin e pasurisë nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara.

Duda Balje, sipas aktakuzës së prokurorisë së shtetit, kishte paraqitur vetëm pagën bazë si deputete në shumën prej 17 mijë e 856 eurove, ndërsa në bazë të të dhënave të Kuvendit të Kosovës është konstatuar se të hyrat vjetore nga Kuvendi për këtë deputete janë 24 mijë e 327 e 19 euro.

Diferenca e mosdeklarimit të pasurisë është 6 mijë e 471 e 19 euro, diferencë të cilën deputetja Balje e merr për pjesëmarrje në seancat dhe mbledhjet e komisioneve parlamentare.

Për të njëjtën vepër penale, nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, ishte akuzuar edhe ish- deputeti Nait Hasani, i cili po ashtu u shpall i pafajshëm nga Gjykata. /kallxo.com/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/duda-balje-shpallet-e-pafajshme/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala