Dridhet koalicioni qeveritar

Koalicioni qeveritar është në pikën e vlimit. Kryeministrit Isa Mustafa, nuk po i gjendet ngat partneri i madh qeverisës, PDK-ja në këto ditë të “rënda vendimmarrëse”. Kryetari i këtij subjekti politik dhe njëherit zëvendëskryeministër, Hashim Thaçi, në pikën më kritike po kryen vizita nëpër vende të ndryshme të botës.
Mustafa deri më tani sipas njohësve të politikës dhe zhvillimeve në vend, nuk po di si t’ia bëjë me Jablanovicin, duke e ditur se shkarkimi eventual i tij nënkupton edhe largimin e minoritetit serb nga koalicioni dhe eventualisht shpërbërjen e qeverisë. I gjendur në këtë situatë, ai është duke kërkuar mbështetje tek ambasadorët e QUINT-it, që përfaqësojnë katër fuqitë më të mëdha evropiane dhe SHBA-të.
Por, ende pa shkuar në takim, i erdhi edhe një goditje nga nënkryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i cili kërkoi indirekt largimin e Jablanovicit nga Qeveria e Kosovës.
Ngjashëm, PDK, e cila udhëheqë me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik nuk po merr përgjegjësi as për Trepçën. MZHE ka të gjitha kompetencat si të veprojë me këtë ndërmarrje shoqërore, por duke e parë se është nxehur puna, janë tërhequr dhe e kanë vënë në vijën e zjarrit pikërisht kryeministrin.
Ndërkaq, kërcënim për koalicionin duket të jenë edhe mbi 30 mijë protestues, të cilët të udhëhequr nga partia më e madhe e opozitës, Lëvizja Vetëvendosje, do të dalin në protestën e radhës të martën, nëse Jablanovici nuk shkarkohet.