Drenica, rajon i frikshëm

“Fenomeni i Dukagjinit”, i njohur për shumë vrasje, siç duket po zhvendoset ngadalë në Drenicë, në rajonin për shumë kohë më të qetë në Kosovë.
Vetëm për 9 muaj të këtij viti, në Skenderaj janë vrarë 4 veta, ndërsa janë plagosur 6 të tjerë. Për ndryshim nga Dukagjini, dorasët, përveç në një rast, të tjerët dihen.
Gjithçka ka nisur nga fundi i vitit të kaluar, kur në kafenenë “N’Qosh” është vrarë Ruzhdi Shaqiri nga Baksi. Gani Geci, i cili ka pranuar se ka vrarë Shaqirin, siç ka thënë ai “në vetëmbrojtje”, akoma nuk ka dalë para organeve të drejtësisë, ndërkohë që ai mbrohet në liri, pasi që prokurorët kanë konstatuar se në burgje, ku Geci fillimisht mbahej, nuk ka siguri për të.
Motivet e kësaj vrasjeje, e cila kishte tronditur Drenicën, nuk dihen, por sipas asaj që ka dalë në opinion ka të bëjë me dyshimet se Shaqiri ka qenë i përfshirë në një rast të para disa vjetëve, kur persona deri më tash të panjohur kishin shtënë në veturën e Gecit, në afërsi të Tjegullores së Vjetër, në hyrje të qytetit të Skenderajt, me ç’rast kishin mbetur të vrarë gazetari Bekim Kastrati dhe Besim Dajaku, truproje e presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova.
Mesi i janarit i këtij viti shënon një vrasje tjetër, që për motiv ka pasur mosmarrëveshjet në mes të pronarëve të dy kompanive të transportit të udhëtarëve, për shkak të linjave të qarkullimit/Zeri/.