Drenasi përkrah katolikët e Llapushnikut

Komuniteti katolik i Llapushnikut ka marrë përkrahjen e Kuvendit të Drenasit dhe në këtë mënyrë mund të vazhdojë ndërtimin e kishës dhe ta rregullojnë vendin për varreza, në vendin e quajtur “Gradinë”, pasi që është sqaruar, madje edhe është konstatuar, se Ipeshkvia e Kosovës ka blerë 2.5 hektarë tokë nga AKP-ja në njërën prej valëve të privatizimit në pjesën ku ka filluar ndërtimi.
Vetëm një këshilltar komunal nga 30 sa ishin të pranishëm, ka votuar kundër propozimit të këshilltarit nga radhët e LDK-së, Rifat Bilalli, që Kuvendi ta përkrahë komunitetin katolik për ndërtimin e varrezave dhe të kishës, ndërsa dy të tjerë kanë abstenuar. Bilalli tha se është e drejtë e komunitetit katolik, por edhe e Ipeshkvisë që të ndërtojë kishë dhe varreza në pronën e vet.
“Unë edhe në vitin 2009 kur është diskutuar në Kuvend për këtë çështje kam thënë se atyre u mjaftojnë 0.5 hektar tokë për varreza, por meqë ata e kanë privatizuar atë pjesë, atëherë, ajo është e tyre dhe në këtë mënyrë nuk mund t’u mohohet e drejta që të ndërtojnë kishë, apo të hapin varreza”, thoshte ai./Zeri/.