Drejtësi e parealizuar

Autori:Zekirja Shabani

Altin Ahmeti, gazetar, e ka paditur Behgjet Pacollin për shkëputje të kontratës në mënyrë të njëanshme, pa përfillur asnjë procedurë ligjore në vitin 2007.
As tani kur Kosova ka shpallur pavarësinë dhe janë bërë 8 vite nga atëherë rasti nuk është zgjidhur.

Gazetari Altin Ahmeti, i cili tashmë punon si kryeredaktor në www.rtklive.com, shkroi më herët në facebook-un e tij se është e pamundur të fitojë gjyqin kundër biznesmenit Behgjet Pacolli, i cili për disa kohë shërbeu si President i Kosovës dhe zv.kryeministër.

Pacolli financonte dhe botonte gazetën Lajm, ku Altin Ahmeti ishte gazetar dhe redaktor i rubrikës së Ekonomisë, ndërsa gazeta menaxhohej nga vëllau i Behxhetit, Selim Pacolli.

“Sa e vështirë është të fitosh një seance gjyqësore, ku palë e paditur është një kompani mediatike që financohej nga ish-Presidenti dhe zv. kryeministri i Kosovës, Behxhet Pacolli, por që juridikisht menaxhohej nga vëllai i tij. Padia është bërë para pavarësisë së Kosovës, më 2007, ndërsa një vit me vonë gjykatësja Manushe Karaqi arriti Ujdi gjyqësore. Ujdia u vulos dhe u nënshkrua nga gjykatësja, pasi kishte biseduar me palën e paditur dhe u protokollua. Disa muaj më vonë u refuzua nga pronarët mediatikë me arsyetimin se dëshirojnë të ndjekin rrugën gjyqësore. Rruga gjyqësore u ndoq… lënda u fsheh për të dalë sërish….. U ndërruan gjykatësit, avokatët.. Kam ndërruar edhe unë. Tani jemi më 2015. Më pëlqeu vendimi i fundit i gjykatës, e cila vendosi sërish ta shtyj vendimin. Nuk jam më as unë i interesuar të përfundojë. Dua të hyjë ne historinë e gjyqësorit në Kosovë”, shkroi gazetari Altin Ahmeti në Facebook, duke publikuar edhe vendimet e Gjykatës.

Gjyqet në Kosovë zakonisht zgjasin shumë, por ato stërzgjaten kur kemi të bëjmë me persona politikisht të fuqishëm, sikurse në rastin e biznesmenit Pacolli.

Shuma që ka kërkuar Ahmeti në padinë e tij biznesmenit Pacolli është qesharake për fuqinë financiare që ai ka, 6 rroga nga 900 euro apo 5.400 euro.

Gjykata ka vlerësuar se Pacolli bëri shkelje kur hoqi nga puna gazetarin pa asnjë arsyetim, sepse kishte edhe 6 muaj kontratë valide.

Këtë vendim e mori edhe gjykatësja Manushe Karaqi, e cila hartoi dhe vulosi një Ujdi Gjyqësore, ku Selim Pacolli duhej ta paguante detyrimin. Por, ai nuk erdhi asnjëherë për ta nënshkruar, megjithëse ishte dakorduar me gjykatësen.

Përballja e fundit mes gazetarit dhe Pacollit ishte para dy javësh, ndërsa gjyqi ende vazhdon.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/drejtesia-e-vonuar/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala