Donika Kadaj-Bujupi, letër të hapur prokurores Krasniqi –Fejzullahu

Autori:Avdyl Pajaziti

Donika Kadaj-Bujupi, shefe e Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i është drejtuar me një letër të hapur prokurores Fikrije Krasniqi-Fejzullahu, e cila ishte në Kuvend të enjten, pas hedhjes së gaz lotsjellësit nga opozita.

Lexoni të plotë letrën e Donika Kadaj-Bujupi

“E dashur prokurore,

E kuptoj misionin tuaj special dhe vullnetin tuaj, po ashtu, për ta mbrojtur me çdo kusht dhe me gjithçka këtë pushtet.

E kuptoj angazhimin maksimal dhe marramendës të shpejtë, kur është në pyetje të goditet Opozita.

E kuptoj po ashtu “neutralitetin” tuaj politik e profesional, në funskion të ruajtjes së shtetkapjes në këtë vend.

Ashtu sikundër secili segment i drejtësisë në Kosovë, edhe ju nuk po hezitoni për asnjë moment, që ta dëshmoni në vepër besnikërinë e devotshmërinë ndaj pushtetit aktual, ndaj atyre që kanë abuzuar gjithçka në këtë vend, duke mos ju anashkaluar as juve.

Megjithatë, kjo sjellje e juaja nuk më befason, sepse ashtu edhe ju duhet të sjelleni, detyrimisht, si secila figurë shahu në pushtetin e Kosovës, të cilat, dikush nga lartë i lëvizë si të dojë.

Ashtu ju lëvizën edhe juve, me një buton, drejt në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Asnjëherë më e shpejtë se në këtë rast, nuk jeni vënë në turravrap!

Djemtë e farefisnorët e shefave të shtetit, të mirënjohur nga opinion e me mirë edhe nga ju që s’po i përmendi këtu, si gjithmonë edhe tani qëndrojnë mbi ligjin, mbi shtetin, mbi drejtësinë. Kjo është parë e dëshmuar sa e sa herë, kur ju dhe kolegët tuaj, i mbyllni sytë e veshët përballë akteve ilegale të tyre.

Ju nuk i penalizoni qeveritarët aktualë e as të bijtë e tyre, as krejt dinastinë e krimit në Kosovës, por turravrap iu gjuheni vetëm deputetëve opozitarë, përfaqësuesve e aktivistëve të saj.

Kështu vepruat edhe tani, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ndaj deputetëve të opozitës, vetëm e vetëm se po protestojnë e kundërshtojnë ndaj vendimeve esencialisht të dëmshme për vendin, të sotmen e të ardhmen e brezave të tij.

Ju i mbyllët sytë përballë traut të krimit të organizuar, të korrupsionit e të tradhtisë kombëtare, që përfaqësohet nga Mustafa dhe qeveria e tij, e iu gjuajtët kashtës së problemit në këtë parlament, reagimit opozitar.

Po i mbyllni sytë përballë krimit të hapur qeveritar, e po e kërkoni fajtorin, medoemos, në taborrin e opozitës.

E dashur prokurore,

Gazi lotsjellës nuk është vdekjeprurës dhe nuk do të duhej të konsiderohej si argument për ndjekje penale. Kjo është veç fabrikim në laboratorët tuaj. Në fakt, ju do të duhej të nisnit ndjekje penale ndaj kryeministrit Musafa për ato nënshkrime. Por, po tregoni se nuk keni guxim!

Ju, si juriste (nëse jeni vërtet e tillë!), do të duhej të analizohenit edhe vet se çfarë dëmi të pariparueshëm i shkaktojnë këto marrëveshje sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

Unë si deputete, si pjesë e opozitës së bashkuar, po angazhohem edhe për të ardhmen e qëndrueshme tuajën, familjes suaj dhe shtetit, prej të cilit ju e merrni pagën.

Megjithatë, unë nuk ju shoh si fajtoren e vetme të kësaj situate. Unë ju shoh si pjesë e këtij aparati, këtij regjimi që përditë e më shumë po e fundosë vendin tonë, Kosovën.

Mbase ju nuk mund të silleni ndryshe nga padronët tuaj, ndërsa ky kuvend, jo pak herë, ishte pjesë pune edhe e prokurorëve të ish-sistemit.

Këto i di mirë edhe padroni juaj, Isa Mustafa, gishti tregues i të cilit ka marrë në qafë shumë e shumë shqiptarë në këtë kuvend e në këto institucione!

E, drejtësia nuk duhet të bazohet në urdhrat politikë të regjimit autoritar. Sepse, edhe ky regjim po bjen!

Ndoshta, edhe ju po bindeni me këtë!”. /Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/donika-kadaj-bujupi-leter-te-hapur-prokurores-krasniqi-fejzullahu/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala