Donika Kadaj-Bujupi dërgon mesazh nga burgu

Autori:Avdyl Pajaziti

Deputetja e AAK’së, Donika Kadaj-Bujupi, nga qendra korrekurese në Lipjan ka porositur qytetarët që ti bashkohen manifestimit të opozitës të thirrur në Ditën e Festës së Flamurit për të kundërshtuar marrëveshjet e fundit të Brukselit.

Kadaj-Bujupi në një deklaratë për Gazetën Express, nga qendra e korrektuese në Lipjan, ku me vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës do të qëndrojë 30 ditë paraburgim, ka thënë se secili qytetarë duhet të dal të shtunën në mbrojtje të shtetit dhe të reagojë kur shkelen të drejtat dhe territori i ynë.

Në mesazhin e saj për qytetarët Donika Kadaj-Bujupi thotë se është privuar nga e drejta e saj si deputete që t’iu bashkohet qytetarëve në këtë manifestim.

“Privuar nga e drejta që fizikisht të jem pranë qytetarëve në misionin përfaqësueses të deputetes, pranoni të ju drejtohem në prag të festës së flamurit duke ju uruar me thirrjen që në këtë ditë të kombit të bëheni bashkë në mbrojtje të shtetit.

Të manifestojmë dinjitetshëm, paqësorë, krenarë dhe këmbëngulës në kauzën tonë. Bashkë si qytetarë të lirë me kërkesë të Evropës ne kemi të drejte të reagojmë kur shkelen të drejtat tona. Të manifestojmë kundërshtimin e Asosacionit dhe demarkacionit që rrezikojnë vendin, perspektiven e gjeneratave që u kemi borxh t’ua ruajmë token, sovranitetin dhe resurset e këtij vendi që synohen të tjetërsohen.

Fuqia qëndron në vullnetin e çdo individi dhe të gjithë neve bashkë”, ka përcjellë mesazhin e saj për qytetarët, përmes Gazetës Express, nga paraburgimi, deputetja e AAK’së, Donika Kadaj-Bujupi.

Paritë opozitare, VV-AAK-NISMA, për të shtunën, 28 nëntor kanë thirrur një siç e quajnë ata manifestim për të kundërshtuar marrëveshjet e fundit të nënshkruara në Bruksel dhe po ashtu arrestimin e deputetes Kadaj-Bujupi dhe urdhër-arresteve për deputetët e VV’së, Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli.

Donika Kadaj-Bujupi ishte arrestuar të martën e kaluar pasi nuk iu ishte përgjigjur thirrjeve të policisë dhe prokurorisë për tu intervistuar pasi kishte hedhur gaz lotsjellës për tri seanca rresht të Kuvendit të Kosovës. Rrjedhimisht, deputetja e AAK’së u ndal në një muaj paraburgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës me arsyetimin se mund të përsërisë veprën e njëjtë.

Ky vendim u kundërshtua në Apel nga mbrojtja e Kadajt, por edhe kjo gjykatë e pa të arsyeshme ndalimin për 30 ditë të deputetes.

Avokati i shefes së grupit parlamentar të AAK’së, ka paralajmëruar se ankesën e tij do ta dërgojë edhe në Gjykatë Supreme.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/donika-kadaj-bujupi-flet-nga-burgu/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala