Dokument: Mediat e Kosovës i dërgojnë letër të hapur UNESCO-s

Autori:Avdyl Pajaziti

Tridhjetë media të shkruara, elektronike dhe online të Kosovës i kanë dërguar një letër drejtoreshës së përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), Irina Bokova.

Edhe kjo letër, sikurse shumë të tjera, është dërguar në mbështetje të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në këtë agjenci të specializuar të Kombeve të Bashkuara, transmeton Klan Kosova.

Letra është nënshkruar nga pronarë, drejtorë, kryeredaktorë dhe gazetarë të mediave të të gjitha komuniteteve në Kosovë.

Nga mediat kryesore kosovare nuk janë të pranishme mediat e kompanisë KOHA, gazeta Koha Ditore dhe KTV.

Mes tjerash, në letrën e përbashkët të mediave kosovare thuhet:

“Ne vazhdimisht e vëzhgojmë punën e qeverive tona dhe jemi zëri kryesor kritik ndaj tyre kur ato dështojnë të japin rezultatet e duhura – qoftë në luftë kundër korrupsionit, reformën e sistemeve të kujdesit shëndetësor dhe arsimit apo në rritjen ekonomike”.

“Që Kosova vërtetë të ketë sukses në përpjekjet e saj për të ndërtuar një shoqëri të fortë, demokratike dhe të hapur, me respekt të plotë për liritë individuale dhe të drejtat e njeriut, përfshirë lirinë e patjetërsueshme të shprehjes, ne na duhen mundësi të barabarta”.

“Dhënia e mundësive dhe praktikave më të mira ndërkombëtare për të rinjtë tanë në arsim, shkencë dhe kulturë mund të jetë e dobishme për të gjithë. Kjo është arsyeja pse ne sot ju nxisim që të mbështetni kërkesën e Kosovës për anëtarësim në UNESCO”.

Mbështetja e komunitetit mediatik për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO ka ardhur pas angazhimit të një sërë institucionesh dhe personalitetesh me famë botërore të cilët i ishin bashkuar aspiratës së Kosovës për t’iu bashkuar UNESCO-s.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/dokument-mediat-e-kosoves-i-dergojne-leter-te-hapur-unesco-s/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala