“Dodonës” i bllokohen 15 mijë euro

Autori:Avdyl Pajaziti

Gjashtë muaj pasi ka përfituar 15 mijë euro nga Ministria e Kulturës me konkursin për financim të projekteve kulturore, mjetet ende nuk janë derdhur në xhirollogarinë e teatrit të qytetit “Dodona”.

Ministria e Kulturës nuk ia ka bartur ato, për shkak se ky institucion ende nuk ka numër fiskal sipas ligjeve të Republikës së Kosovës as 7 vjet pas Shpalljes së Pavarësisë. Teatri, që është nën ombrellën e Komunës së Prishtinës, e ka vetëm numrin fiskal të kohës së misionit të UNMIK-ut, shkruan sot “Koha Ditore”.

E për ta ndërruar atë ka qenë obligim qysh prej korrikut të vitit 2009, kur u miratua udhëzimi administrativ për regjistrimin, çregjistrimin dhe pajisjen me numër fiskal të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave.

Komuna e Prishtinës e cilëson këtë si pengesë administrative, përderisa “Dodona”, sherri i saj, s’mund ta konkretizojë programin.

Drejtori i teatrit “Dodona”, Agron Shala, ka thënë se e kishte njoftuar Drejtorinë e Kulturës në Komunën e Prishtinës për telashet administrative qysh prej vitit të kaluar, kur kjo drejtori udhëhiqej nga Blerta Zeqiri.

“Shumë shpejt do të mundësohet bartja e mjeteve të dedikuara për teatrin ‘Dodona’”, ka thënë Miranda Mullafazliu-Bejta, zëdhënëse e Komunës së Prishtinës
Ndue Ukaj, zyrtar për informim në Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sportit, ka thënë se problemi i vetëm për mosbartjen e mjeteve për “Dodonën” janë pengesat administrative..

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/dodones-i-bllokohen-15-mije-euro/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala