Do të paguajmë dy herë për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit

Autori:Avdyl Pajaziti

Edhe pse rruga Kombit, Durrës-Kukës është në prag të dhënies me koncesion kundrejt një tarife pa TVSH jo më pak se 5 euro për automjet, Ministria e Ekonomisë programon të investojë gjatë dy viteve në vijim të paktën edhe 21 milionë dollarë.

Sipas dokumentit zyrtar të investimeve në Ministrisë e Ekonomisë në katër lote të rrugës janë programuar investime për 2015-2017 mbi 2.3 miliardë lekë, ku pjesa më e madhe e investimit është parashikuar të realizohet gatë viteve 2016-2017.

Mirëpo programi i qeverisë për investime në këtë aks ngjan paradoksal, pasi Ministri i Transporteve ka lajmëruar se, do të firmosë kontratën e koncesionit për këtë rrugë, gjatë këtij muaji.

Me firmosjen e kontratës të gjitha detyrimet për investime obligohet t’i marrë koncesionari i ri.

Objektivi kryesor i këtij koncesioni/PPP për punë dhe shërbime është përmirësimi i autostradës, funksionimi dhe mirëmbajtja efektive e saj. Koncesionari i ardhshëm do të ndërtojë, përmirësojë, operojë dhe mirëmbajë autostradën në bazë të një sërë standardesh të paracaktuara të performancës gjatë koncesionit/PPP 30 vjeçar.

Sipas kushteve të garës, koncesionari i ardhshëm do të mbledhë dhe do të mbajë të ardhurat nga taksa dhe në këmbim do të ketë përgjegjësinë për të zbatuar dhe financuar përmirësimet e autostradës. Gjithashtu detyrohet të ndërtojë një urë të re mbi lumin Drin në Kukës dhe të zbatojë punimet më urgjente gjeoteknike të stabilizimit.

Përgjegjësitë e koncesionit shtrihen nga Miloti, rreth 60 km në veri lindje të portit të Durrësit në detin Adriatik, deri në Morinë, në kufirin me Kosovën. /Monitor.al

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/do-te-paguajme-dy-here-per-mirembajtjen-e-rruges-se-kombit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala