Do të ndëshkohen ata që zihen duke kopjuar në testin e maturës

Autori:Avdyl Pajaziti

Rreth 33 mijë maturantë në nivel të Kosovës, të shtunën do t’i nënshtrohen provimit Shtetëror të Maturës. Lajmin e ka bërë të ditur Azem Guri, kryetar i Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës.

“Nesër do t’i nënshtrohen provimit rreth 33 mijë maturantë, ku do të jenë të shtrirë në 144 qendra të testimit, 2500 administrues, 500 mbikëqyrës dhe rreth 800 komisionar në qendra testuese”, tha Guri, duke shtuar se këtë vit nuk do të jenë të përfshirë pjesëtarë të kompanive të sigurimit privat.

Sipas Gurit edhe këtë vit maturantët që zihen duke kopjuar apo duke përdorur telefonin celular do të sanksionohen.

“Fillimisht administruesi do t’i njoftojë maturantët se janë të obliguar që telefonat t’i vendosin në tavolinë në hyrje të dhomës së mësimit. Në momentin që administruesi e heton se ka një telefon celular automatikisht do të largohet nga provimi pranues dhe ndaj atij maturanti do të ketë masa duke mos iu nënshtruar provimit të maturës”, deklaroi Guri.

Zyrtari i MASHT-it tha se një bashkëpunim i tillë ndihmon procesin e provimit të maturës.

“Ne për të qenë sa më transparentë në këtë proces kemi bërë një marrëveshje bashkëpunimi me KALLXO.com. Ne mendojmë që do na ndihmojë shumë duke e përcjellë procesin e Provimit të Maturës Shtetërore duke raportuar nga terreni në mënyrë që ky proces të jetë më i hapur dhe transparent”, tregoi Guri.

Në bazë të marrëveshjes, KALLXO.com do të angazhohet në terren për monitorimin dhe hulumtimin e mbarëvajtjes së provimit të maturës shtetërore, duke synuar në këtë mënyrë nxjerrjen në pah të parregullsive dhe abuzimeve, si dhe për të garantuar transparencë më të larë.

Gjithashtu, për gjithçka që qytetarët dëshirojnë të vënë në dukje mbi provimin e maturës, ata mund të kontaktojnë KALLXO.com në çdo moment.

Ai tha se përveç KALLXO.com, në këtë proces janë të përfshirë edhe Komisioni Parlamentar i Arsimit dhe disa organizata të tjera.

Zyrtari i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), tregoi se këtë vit Provimi Shtetëror i Maturës do të ketë zhvillime të reja.

“Janë dy risi, e para numri i administruesve që janë përzgjedhur dhe risia tjetër është se testi do të zhvillohet në ambiente të mbyllura, pra në klasa dhe numri i nxënësve duhet të jetë maksimum 15. Ndërsa përmbajtja e provimit nuk ka ndonjë ndryshim nga ai i kaluar”, tha Guri.

Edhe këtë vit, Provimi Shtetëror i Maturës do të përcillet nga KALLXO.com, bashkëpunim ky i filluar me Ministrinë e Arsimit në vitin 2014. /KALLXO.com/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/do-te-ndeshkohen-ata-qe-zihen-duke-kopjuar-ne-testin-e-matures/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala