Disa pjesë të kryeqytetit, 4 ditë pa ngrohje qendrore

Autori:Avdyl Pajaziti

Nga e premtja e javës së shkuar banorët e lagjes “Qendra” të kryeqytetit nuk kanë ngrohje nga rrjeti i ngrohtores së qytetit “Termokos”.

Si pasojë banorët janë ndier të irrituar për këtë mungesë, ndërsa kanë akuzuar punëtorët e ndërmarrjes publike “Termokos” se po tregohen të papërgjegjshëm dhe të pasjellshëm me qytetarët.
“Gjatë dimrit vjet, me sistemin e ri, kishim ngrohje normale dhe nuk kemi përtuar ta bënim as pagesën, kurse kështu si e kanë filluar sivjet mund të paraqiten edhe aso probleme.

Nuk mund të paguajmë pa pasur ngrohje të mjaftueshme”, ka thënë banorja e lagjes “Qendra”, Lavdërije Domi, teksa ka treguar se me ankesa në adresë të “Termokosit” janë drejtuar edhe qytetarë të tjerë të ndërtesës në të cilën ajo jeton.

Nga ana tjetër, zyrtarët e ngrohtores së qytetit e kanë arsyetuar mungesën e ngrohjes në pjesë të ndryshme të kryeqytet me një prishje të rrjetit përgjatë rrugës “Robert Doll”, shkruan Koha Ditore/

“Një pjesë e objekteve banesore në qendër aktualisht nuk janë duke u furnizuar me ngrohje për shkak të një rrjedhjeje të madhe që është evidencuar në gypin magjistral të ngrohjes në rrugën ‘Robert Doll’”, ka thënë zëdhënësja e ndërmarrjes “Termokos”, Afërdita Uka-Fejzullahu. Ajo ka sqaruar se si rrjedhojë e këtij defekti edhe objekti në të cilin janë ankuar banorët është pa ngrohje.

Nuk ka qenë në gjendje saktësisht të thotë se kur do të evitohet problemi, por ka treguar se është duke u punuar.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/disa-pjese-te-kryeqytetit-4-dite-pa-ngrohje-qendrore/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala