DioGuardi i bënë horë politikanët kosovarë

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryetari i Lidhjes Shqiptaro-Amerikane, ish –Kongresmeni Joseph DioGuardi, në dëshminë e tij para Komitetit të Kongresit për Punë të Jashtme, që është mbajtur dy ditë më parë në Washington, ka bërë akuza të rënda ndaj elitës politike kosovare e cila, sipas tij, po bëhet gjithnjë e më pasur.

Dioguardi ka kërkuar llogari edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit që ka mbështetur Kryeministrin Thaçi dhe Qeverinë e tij, e cila sipas tij është shndërruar në ndërmarrje reketimi. Ish-Kongresmeni Dioguardi ka kërkuar po ashtu që të hetohet edhe ambasadori Christopher Dell i cili ka luajtur rol që Kompania Amerikane “Bechtel” të ndërtojë autostradën Kosovë-Shqipëri.

“Elita politike e Kosovës po bëhet e pasur e më e pasur, deri sa shumë shqiptarë po bëhen të varfër e më të varfër. State Departmenti duhet të marrë përgjegjësinë për mbështetjen e qeverisë së Thaçit, e cila është shndërruar në ndërmarrje reketimi. Humbja e shpresës së shqiptarët, popullatë pro-amerikanë në Evropë, po ashtu është e ndërlidhur me bashkëpjesëmarrjen e BE-së e ShBA-së në disa nga shembujt më flagrantë të korrupsionit, i cili po bën kërdi në Kosovë (njëri nga operativa e BE-së, shtetas gjerman, është dënuar për vjedhjen e 4.3 milionë eurove)”, ka thënë DioGuaardi, përcjell express. “Është koha po ashtu që Administrata të pranojë rolin të cilin ish-ambasadori në Kosovë, Christopher Dell (2009-2012), ka luajtur në nxitjen që Korporata Bechtel të ndërtojë autostradën prej një miliardë dollarësh prej Kosovës deri në Shqipëri (kostoja e së cilës u ngrit në 2 miliardë dollarë dhe e cila ka mundur të ndërtohet për shumë më pak para nga kontraktues lokalë) dhe më pas të marrë një pozicion të lartë në Bechtel në Afrikë pas largimit nga Kosova”, kashtuar ai.

Ndërtimi dhe kostoja e saj e tepruar ndodhën deri sa Kosova ishte (dhe është) një vend i paaftë për të krijuar vende pune dhe stabilitet politik, tërheq vërejtjen Dioguardi.

“Kjo është tërësisht e papranueshme dhe duhet të hetohet nga Inspektori i Përgjithshëm i State Departamentit të ShBA-së”, ka thënë ai.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/dioguardi-i-bene-hore-politikanet-kosovare/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala