Digjet shkolla në Halabak të Podujevës

Autori:Gazeta Fjala

Pak ditë para se të nisë viti shkollor 2015-2016, nxënësit e Halabakut të Podujevës kanë mbetur pa objekt mësimi.

Një person i panjohur ia ka vënë zjarrin këtij objekti në orën 05:00 të mëngjesit të së martës, duke shkaktuar djegien e tërësishme të tij.
Komandanti i Stacionit policor të Podujevës, Bekim Bislimi, ka thënë se kanë nisur hetimet për të gjetur fajtorin e këtij rasti.

“Rreth orës 05:00 të mëngjesit, sipas një dëshmitari, një person i panjohur ia kishte vënë zjarrin objektit të shkollës (paralele e ndarë e shkollës amë në Tërrnavë) “Shefki Kuleta”. Njësia e Policisë… në Orllan, ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për t’u marrë me rastin.

Edhe zjarrfikësit kanë shkuar në vendngjarje, por objekti ishte djegur pothuajse plotësisht”, ka thënë Bekim Bislimi.
Edhe zyrtarët komunalë të Podujevës kanë qenë në vendin e ngjarjes për të parë dëmet që i ishin shkaktuar këtij objekti. Zëdhënësi i Komunës, Nazmi Elezi, ka thënë se 85 nxënësit e kësaj shkolle prej shtatori do të mësojnë në shkollën amë, në Tërnavë.

“Diku rreth orës 05:00 të mëngjesit kanë lajmëruar njësiti i zjarrfikësve se po digjej shkolla e Halabakut, e cila është paralele e shkollës fillore të ciklit të ulët ‘Shefki Kuleta’ në Tërnavë. Nga 1 shtatori, 85 nxënësit e këtij objekti Komuna do t’i sistemojë në shkollën amë në Tërrnavë. Gjatë javës do të analizohet nëse do të sistemohen nëpër klasat e shkollës amë, apo do të shtohet edhe një ndërresë”, ka thënë Elezi. Sipas tij, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për vitin e ardhshëm ka paraparë ndërtimin e këtij objekti.

Kishte pasur raportime në muajin mars për kushtet në të cilat mësonin 75 nxënësit në 3 dhoma mësimi, një dhomë për dru, një korridor dhe një sallë të vogël për mësimdhënësit. Mësimi aty zhvillohej me dy ndërrime deri në klasën e pestë. Secila paralele kishte vetëm një klasë.

Ky objekt ishte ndërtuar më 1972 prej letrës së trashë (kompensatës). Djegia e tij ishte tentuar edhe më herët. Mësuesi dhe përgjegjësi i kësaj shkolle, Idriz Pllana, bënte thirrje që të mos digjej kjo shkollë, sepse mund të mbesnin edhe pa të.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/digjet-shkolla-ne-halabak-te-podujeves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala