Dialogu i nxehtë Kosovë-Serbi

Rëndësia e dialogut Kosovë-Serbi po del të jetë ende temë e nxehtë.
Në një debat të organizuar mes përfaqësuesve kosovarë dhe atyre serbë, ata janë përplasur rreth kësaj çështjeje.
Dren Zeka – anëtar i ekipit negociues nga Kosova tha se arritja kryesore e dialogut është marrëveshja e 19 prillit të vitit 2013. Sipas tij, kjo marrëveshje normalizon marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.
“Dialogu ka ndihmuar Kosovën që të hyjë në marrëdhënie kontraktuare me BE-në”, tha Zeka.
Ai tha se në kuadër të dialogut teknik janë arritur shtatë marrëveshje, ndër to edhe marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufijve, e cila është në zbatimin e sipër.
Sfidë sipas Zekës mbetet zbatimi i marrëveshjes për diplomat.
“Marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave nuk është zbatuar, për shkak se pala serbe nuk ka pranuar asnjë diplomë që ta nostrifikojë në Serbi”, tha Zeka.
Nenad Rashiq nga Partia Demokratike Progresive (PDS) tha se “Marrëveshjet e Brukselit për serbët e Kosovës janë të paqarta”.
Analisti politik Albinot Maloku tha se sa i përket dokumenteve kadastrave, as Serbia nuk i ka sjellë e as Prishtina zyrtare nuk është munduar shumë të kërkojë llogari për ato.
“Konsideroj që as 50 për qind e asaj që është bërë në ato marrëveshje nuk është realizuar në terren”, tha Maloku.
Ai tha se marrëveshja e 19 prillit është konsideruar historike vetëm nga ana e Prishtinës, por jo edhe e Beogradit.
Ndërsa Pavle Dimitrijeviq nga organizata BIROD që e ka vëzhguar këtë proces tha se kanë arritur të trajtohen të gjitha temat e nxehta mes të dyja palëve.
“Marrëveshja e Brukselit është një proces që po vazhdon“, tha Dimitrijeviq.
Ky debat është organizuar në Qendrën Mediale në Çagllavicë me mbështetjen e Ambasadës Amerikane.