Diabetikët paguajnë për barërat që duhet tu jepen falas

Autori:Zekirja Shabani

Në repartin e “Endokrinologjisë”, përveç mungesës së insulinës dhe barnave esenciale, shumë shpesh ndodh të mos ketë as pastërti në nivelin e duhur. Pacientët e shtrirë në spital, shpeshherë ndodhë të paguajnë nga xhepi i tyre edhe për barërat që jaanë në barnatoren e spitalit e nuk u jepen atyre.

Fatime Raifi nga Godanci i Shtimes vetëm për një tabletë “Tenlop H” kundër sëmundjes së sheqerit, paguan 20 euro. Këtë do të duhej ta merrte falas në repartin e Endokrinologjisë ku është e shtrirë tash e dhjetë ditë. Për barërat që janë në listën esenciale, por që mungojnë në spital Raifi paguan afro 90 euro në muaj.

Nuk është e vetmja që mezi del nga dhoma për të blerë medikamentet e nevojshme në barnatoret përballë. Edhe Ajete Fazliu nga Mitrovica ankohet se shumicën prej barërarave duhet t’i blejë. “Edhe pse çka ka këtu na japin, stafi i këtij reparti janë shumë të mirë dhe na trajtojnë mirë”, thotë Fazliu, për Gazetën Fjala.

Edhe Ilhame Jashari nga Vushtrria përcjellëse e nënës së saj, thotë se në këtë repart përveç hallit të sëmundjes dhe sigurimin e disa barnave nga vetë pacientët, mungon edhe pastërtia.

“Jam obliguar që vetë ta pastroj banjon, nuk kam pasur mundësi pastrimin e nanës në atë gjendje çfarë ka qenë. Rrjedh uji edhe pak ka kushte për persona me aftësi të kufizuara, nuk ka as letër të banjos e lëre më të tjerat”, thekson Jashari.

Sa i përket mungeses së barnave në këtë repart, zëdhënsi i  QKUK-së, Shpend Fazliu tregon se për disa barna që janë në listën esenciale dhe nuk shërbehen për pacientët thotë se për kundër kërkesave që kanë bërë ende nuk kanë arritur.

“Lidhur me amp. Ceftriaxone 1g (Lendacin) është në Listë Esenciale dhe e planifikuar (antibiotik i gr. të cefalosporinave), por Operatori Ekonomik “Exclusive”sh.p.k – Gjilan nuk ka arriturt ta liferoj produktin në kohë përkundër dy kërkesave nga sektori në datat 13.03.2015 dhe 26.06.2015”, pohon Fazliu, për Gazetën Fjala.

Ndërkaq, për barërat tjera të cilat pacientët ankohen se nuk po u jepen në spital si “Tenlop”, ai thotë se ka në klinikë dhe në barnatoren qëndrore barëra zëvendësues.

“Së fundmi me datë 29.07.2015 Barnatorja e Klinikës së cekur është furnizuar me tbl Losartan (Tenlop) dhe të njejtën produkt e kemi edhe në Barnatoren Qendrore”

Ndërkaq, ai pohon se klinika do të furnizohet me barnat e nevojshme të premten me tërë sasinë e planifikuar./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/diabetiket-paguajne-per-barerat-qe-duhet-tu-jepen-falas/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala