Devolli Corporation distancohet nga panot fyese

Kompania Devolli Corporation përmes një komunikate për medie është distancuar nga posterat të cilët u shfaqën gjatë ditës së djeshme në disa mjedise të Kosovës. Përmbajtja e atyre panove zgjoi reagimin dhe zemërimin e qytetarëve, por edhe të zyrtarëve të vendit, si një veprim të padenjë ndaj njerëzve të medias.
Në komunikatë thuhet:
Dje me datë 02.03.2015 në ambientet e fabrikës M&Sillosi u mbajt Konferenca zyrtare për Media e thirrur nga kompania jonë.
Gjatë kohës sa mbahej ky takim, në Pejë dhe Gjakovë janë vendosur disa pano pa dijeninë dhe autorizimin e Bordit Menaxhues të Devolli Corporation.
Bordi Menaxhues i Devolli Corporation ka filluar të hulumtojë këtë rast ku është përdorur logo e kompanisë sonë pa autorizim dhe me përmbajtje të papërshtatshme.
Devolli Corporation siguron opinionin kosovar se këto veprime nuk janë në linjë me politikat afaruese dhe nuk pasqyrojnë qëndrimin e Kompanisë sonë.
Devolli Corporation distancohet nga veprimet e tilla dhe inkurajon fjalën e lirë nga kushdo, pavarësisht a është në pajtim me qëndrimet tona.
Ne do të mbesim të përkushtuar ndaj punës sonë dhe do të ndjekim vetëm normat etike dhe procedurat gjyqësore nëse vlerësojmë se ndonjë veprim i padrejtë bëhet kundër interesave të kompanisë sonë, përfundon komunikata.