Detaje pas arrestimit të vëllezërve Aliko, cili ishte plani i tyre

Autori:Avdyl Pajaziti

Pas arrestimit të vëllezërve Aliko, Arbjon e Alban, ku njëri prej tyre, Arbjoni, konsiderohet si koka e grupit që donte të sfidonte policinë në Lazarat, e ku për pasojë mbeti i vrarë efektivi i RENEA-s, Ibrahim Basha, nisin e dalin të dhënat e para se si u shkua deri tek prangosja e tyre.

Siç dihet tashmë, ata u kapën disa kilometra larg Lazaratit, në afërsi të Kardhiqit, që do të thotë se kanë ecur në rrëpirat e Malit të Gjerë, duke kaluar mbi Gjirokastër, për të mbërritur pikërisht aty ku janë kapur, e ku thuhet se ishin strehuar në një tunel.

Kjo ka qenë dhe arsyeja e patrullimit me helikopter, pasi është menduar pikërisht kjo, që ata do arratiseshin me këmbë nga fshati. Por siç informohet, nuk ka qenë helikopteri që i ka pikasur, por telefonatat që ata kanë bërë rregullsht me një person që i ka furnizuar me ushqime.

Dhe nga përgjimi i tyre, është pikasur vendi ku fshiheshin.

Më pas ata janë rrethuar për disa orë, duke iu kërkuar të dorëzoheshin, ku në ballë të kësaj kërkese ka qenë vetë i ati i tyre, Adil Aliko, i njohur si njeri me shumë autoritet dhe influencë në Lazarat, por dhe Gjirokastër, deri dhe mik me një deputet të njohur të zonës, nga e majta. Dhe thuhet se kanë qenë pikërisht lutjet e tij që djemtë i janë dorëzuar policisë.

Nga hetimet e para rezulton se plani i tyre ka qenë vijimi i rrugës drejt Sarandës për të përfunduar më pas në Greqi. Për këtë arsye, edhe në Sarandë këto ditë ka patur postoblloqe të shumta policie.
Policia shqiptare në Lazarat

Arbjan Aliko, dyshohet si njeriu që ka shkrehur armën në drejtim të efektivit Basha, i cili humbi jetën më pas.

Tashmë, mbetet të provohet kjo, pasi është provuar se ai është koka nxitëse dhe organizatore e grupit antishtet në Lazarat, që prej muajsh vepronte drejt finalizimit të një përplasjeje me policinë, siç thuhet zyrtarisht nga organi hetimor, për ta përzënë që aty me qëllim rinisjen e kultivimit të hashashit.

Por tek figura e Arbjon Alikos, janë ngatërruar jo pak dhe linjat e një personaliteti të dyfishtë të tij: atij kriminal dhe atij fetar, pasi është prezantuar në rrjetet sociale dhe si ithtar i fesë, por me një kahje të frikshme, siç është ISIS-i.

Disa zëra mediatikë kanë tentuar të bëjnë lidhjen e shkurtër mes dy linjave, duke e shkrirë në një të vetme, sipas së cilëve, mu pse ai është fetar dhe i dhënë pas ISIS-it, ka përfunduar dhe në vrasës.

Por zëra nga fshati, si dhe autoritetet fetare të zonës, të thonë se sjellja e Arbjon Alikos në asnjë rast nuk ka patur indicie fetare, pasi nga natyra ai ka qenë gjithnjë një karakter i vështirë që e çonte drejt një shpirti aventurier, duke llogaritur dhe papjekurine e moshës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/detaje-pas-arrestimit-te-vellezerve-aliko-cili-ishte-plani-i-tyre/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala