Dështon tenderi për transportin e mësimdhënësve udhëtarë të Prizrenit

Autori:Gazeta Fjala

 

Përpjekjet e Komunës së Prizrenit për të siguruar një operator ekonomik që do të kryente transportin e mësimdhënësve udhëtarë nuk po janë të suksesshme.

Zyra e Prokurimit të kësaj komune është detyruar që sërish ta anulojë tenderin e shpallur për këtë qëllim, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në njoftimin e Zyrës së prokurimit thuhet se 4 operatorë ekonomikë kanë marrë pjesë në tenderin për transportin e mësimdhënësve udhëtarë në Komunën e Prizrenit dhe se ai është anuluar pasi që një dispozitë në Ligjin e prokurimit publik e kërkon një veprim të tillë. “Numri i ofertave të përgjegjshme është më i vogël se dy”, thuhet në arsyetimin e anulimit të tenderit.

Kjo është hera e dytë që është rishpallur tenderi për transportin e mësimdhënësve udhëtarë .

Pak javë më parë, drejtori i Financave i Prizrenit, Ertan Simitçi, pati sqaruar se Drejtoria e Arsimit gjatë 9 muajve të këtij viti ka shpenzuar afro 54 mijë euro për transportin e mësimdhënësve dhe nxënësve.

Vlera e parashikuar e këtij projekti sipas DA-së ishte 120 mijë euro, mjete që janë siguruar nga rishikimi i buxhetit.

Sipas të dhënave në kontratën e fundit për transportin e mësimdhënësve në Komunën e Prizrenit kanë qenë 714 mësimdhënës udhëtarë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/deshton-tenderi-per-transportin-e-mesimdhenesve-udhetare-te-prizrenit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala