Dështon mbajtja e mbledhjes së Senatit të UP-së

Autori:Avdyl Pajaziti

Rektori Ramadan Zejnullahu, përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka dështuar mbajtja e mbledhjes së Senatit të Universitetit të Prishtinës për shkak të mungesës së kuorumit.

Zejnullahu ka thënë se në këtë mbledhje është dashur të shqyrtohen disa pika me rëndësi për mbarëvajtjen e punës në Universitet.

Më poshtë është komunikata e plotë:

E para, është dashur të procedohet me zgjedhjen e stafit akademik rreth të cilit nuk ekziston asnjë dilemë se i plotëson kushtet e përcaktuara me Statutin e Universitetit. Bëhet fjalë për njerëz që kanë marrë dritën e gjelbër nga komisionet recensuese, këshillat e fakulteteve dhe komisioni i studimeve. Në fakt, këta njerëz janë duke u dëmtuar për shkak të përpjekjeve të një pjese të senatorëve që zgjedhja e tyre të kushtëzohet me avancimet e mësimdhënësve që nuk i plotësojnë kushtet statutare, në mesin e të cilëve është edhe një numër i anëtarëve të Senatit. Një kushtëzim të tillë nuk e kam pranuar dhe nuk do ta pranoj as në të ardhmen, sepse thirrjet akademike fitohen me meritë e jo me shumicë votash.

E dyta, është dashur të aprovohen programet e studimeve master të Fakultetit të Edukimit dhe të Fakultetit të Filologjisë, të cilat duhet të akreditohen. Nëse, për shkak të mosakreditimit eventual, vitin tjetër nuk do të mund të hapet konkursi për dy drejtime master në Fakultetin e Edukimit dhe një drejtim master në Fakultetin e Filologjisë, përgjegjësinë duhet kërkuar tek dekanët aktualë të këtyre dy fakulteteve, të cilët ishin në mesin e atyre që bojkotuan mbledhjen.

E treta, nuk arritëm të miratojmë një temë të doktoratës nga Fakulteti Ekonomik dhe pesë nga Fakulteti i Mjekësisë, dekanët e të cilëve, po ashtu, vendosën ta bojkotojnë mbledhjen. Shpresoj të tregojnë korrektësi minimale për t’ua sqaruar kandidatëve pse nuk mund të fillojnë punën në temat e tyre të doktoratës, e jo t’i dërgojnë në Rektorat për të kërkuar shpjegim për të pashpjegueshmen.

E katërta, nuk arritëm ta miratojmë Rregulloren e Punës për Komisionin e Etikës. Kemi pasur aq shumë shkelje të etikës në 2-3 vjetët e fundit sa është çudi se si një rregullore e tillë nuk është miratuar më herët. Si pajtohemi aq lehtë që ata që kanë bërë shkelje etike duke plagjiarizuar ose në forma të tjera, duhet të mbeten të pa ndëshkuar. Mbase kjo është në frymën e letrës që disa senatorë i drejtuan ministrit javën e kaluar e ku kërkohet që të mos merren masa ndaj askujt deri në përfundimin e zgjedhjeve që është një hipokrizi e llojit të veçantë.

Kishim edhe pika të tjera që duhej shqyrtuar, por nuk arritëm t’i shqyrtojmë. Sinqerisht më vjen keq nga të gjithë mësimdhënësit dhe studentët që ndihen të dëmtuar për shkak të kësaj. Besoj se do të kuptojnë se këtu po zhvillohet një luftë e paskrupullt për mbrojtjen e interesave personale dhe grupore. Besoj se do ta kuptojnë se atë luftë po e zhvillojnë njerëz me biografi më se të dyshimtë akademike të cilëve u janë lëkundur keq pozitat dhe po shpresojnë t’i stabilizojnë përsëri, përmes zgjedhjeve të reja. Deri në zgjedhje, atyre nuk ju intereson asgjë, sepse nuk mendojnë të garojnë në bazë meritave akademike ose rezultateve menaxheriale, por duke lidhur koalicione ku ata do të jenë përfituesit më të mëdhenj.

Pavarësisht të gjithave, unë dhe ekipi im do të vazhdojmë të insistojmë në respektimin e ligjshmërisë dhe të standardeve akademike, duke mos bërë kompromise që dëmtojnë cilësinë dhe kredibilitetin e Universitetit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/deshton-mbajtja-e-mbledhjes-se-senatit-te-up-se/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala