Dështon krijimi i drejtorive në Komunën e Prishtinës për të tretën herë

Autori:Gazeta Fjala

Komuna e Prishtinës ka dështuar të formonte edhe 3 drejtori të reja, të cilat ishin paralajmëruar të formoheshin gjatë korrikut.

Numri një i Prishtinës, Shpend Ahmeti, pati paralajmëruar pak muaj më parë, se në korrik do të ishin të gatshme 3 drejtoritë e reja. Sipas reformimit, që do të bëhej në komunë, Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, do të ndahej në dy drejtori dhe kjo: në të Urbanizmit, e veçmas të Planifikimit Hapësinor.

Gjithashtu, ishte paralajmëruar ndarja e Drejtorisë së Pronës dhe e Financave në dy drejtori të veçanta.
E, krejt e re ishte paralajmëruar të krijohej Drejtoria e Investimeve Kapitale.

Ahmeti, pati thënë se ky reformim i drejtorive do të bëhet për funksionim më të mirë dhe ofrim më të mirë të shërbimeve për qytetarët.

“Gjatë muajit korrik do të formohen këto drejtori. Kjo do të bëhet për funksionim më të mirë dhe ofrim më të mirë të shërbimeve për qytetarë. Do të ndahet Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, si edhe do të ndahet ajo e Pronës dhe e Financave, pasi që nuk kanë asgjë të përbashkët.

Ndërkaq do të krijohet edhe një drejtori e re. Për këtë çështje vitin e kaluar e patëm alokuar edhe buxhetin, kurse drejtorët nuk janë zgjedhur ende, por do të zgjidhen kur të formohen drejtoritë”, pati theksuar Ahmeti.
E, për këto drejtori që s’janë formuar ende, Ahmeti, ka thënë se ende po bëhet sistematizimi. Sipas tij, duhet të pritet edhe Ministria e Administratës Publike.

“S’janë krijuar ende, sepse po vazhdon të bëhet sistematizimi. Nuk mund të krijojmë drejtori pa punësuar njerëz, ndërkaq për vendet e punës vendos MAP-i. Mirëpo, ato drejtori do të krijohen”, ka thënë Ahmeti

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/deshton-krijimi-i-drejtorive-ne-komunen-e-prishtines-per-te-treten-here/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala