Dështojnë urdhëresat për ngrirje dhe konfiskim pasurie

Autori:Zekirja Shabani

Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike Shqipdon Fazliu,i ka konfirmuar Radio Kosovës se ka arritur në mbi 600 mijë euro vlera e aseteve të konfiskuara,të pasurisë së fituar paligjshëm.

Megjithatë Fazliu ka pranuar se ka dështuar të ekzekutohen urdhëresat për ngrirje të pasurisë apo konfiskim në rastet më të mëdha të gjykimeve për korrupsion dhe krim të organizuar, siç janë ato “Medicus-it” dhe Natali Velijajt.

Dështimi i luftimit të korrupsionit dhe pasurisë së fituar paligjshëm ilustrohet brenda regjistrave të Agjencisë për Menaxhimin e pasurisë së ngrirë apo konfiskuar. Pavarësisht deklarimeve, pothuajse për asnjë nga rastet e profilit të lartë të gjykuar për korrupsion dhe krim të organizuar nuk figurojnë vendime për ngrirje të pasurisë e as për konfiskim.

Ndonëse deklarohen të ngrira, kjo agjenci ka konfirmuar se nuk posedon urdhëresa për menaxhim të aseteve të ngrira të klinikës “Medicus-it” dhe pronat e të akuzuarve në rastin e Natali Velijajt. Ngjashëm edhe për disa nga rastet që janë në proces.

Shqipdon Fazliu, Koordinator kombëtar për luftimin e krimeve ekonomike ka përmendur disa herë se në mesin e milionave pasuri të ngrirë janë edhe klinika Medicus dhe dy banesa të akuzuarës Natali Velijajt. Por, së fundi ai ka pranuar se kjo nuk është e vërtetë. Ai është arsyetuar se ka pasur kërkesa për ngrirje të aseteve në këto raste, por nuk janë ekzekutuar, duke mos treguar arsyet e mosekzekutimit të këtyre urdhëresave.

“Ka shumë arsye që kërkesat nuk ekzekutohen. Megjithatë ajo që po flasim për ngrirje të aseteve rreth 31 milionë euro nuk janë gjëra që po bëhen për konsum. Kushdo që përpiqet të injoroj rezultatet është dashakeqës”, i ka thënë Fazliu Radio Kosovës.

Që nuk ka asnjë vendim gjykate për ngrirje të pasurish në këto raste kanë konfirmuar edhe avokatët e Natali Velijat, Nuhi Paqarizi dhe Petrit Dushi, avokat i personit kryesor në rastin “Medicus”, Lutfi Dervishit. Ky i fundit madje ka konfirmuar se “klinika është shitur pa asnjë problem”.

Kreyshefi i Agjencisë për menaxhimin e pasurisë së ngrirë apo konfiskuar, Rrahim Rama gjithashtu ka konfirmuar se nuk ka marrë asnjë vendim për menaxhimin e ndonjë pasurie të ngrirë në rastet Medicus, Natali Velijat dhe as në disa nga rastet më të mëdha të proceseve për korrupsion, si ai i Ilir Tolajt apo ato të Fatmir Limajt. Ai ka thënë se shteti po humb nga moskonfiskimi apo pamundësia e shitjes së asaj pasurie që ngrihet përkohësisht.

“Unë nuk e di çfarë po deklarojnë si luftë kundër korrupsionit. E dij që sipas ligjit ne mund ta shesim pasurinë e ngrirë, për shkak që të mos devalvohet. Por, gjykatat po hezitojnë të na japin leje. Nga 20 kërkesa që kemi dërguar vetëm 1 na është aprovuar. Nuk i dij arsyet. Ndërsa rastet e Medicus dhe Natali Velijat nuk i kemi fare nën menaxhim sepse nuk kemi vendim për ngrirje të tyre ”, i ka thënë Rama, Radio Kosovës.

Për këtë çështje kreu i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci ka dhënë një arsyetim.” Hezitohet të urdhërohet ngrirja apo shitja e aseteve të ngrira sepse nuk dihet se çka ndodhë në procedurën gjyqësore dhe mund të ndodhë që pasuria t’i kthehet personit. Nuk është se ka pasur presion apo kërcënime nga ndokush”, ka thënë Peci.

Kreu i Agjencisë Kundër-Korrupsion, Hasan Preteni ka thënë se këto raste janë ilustrim i asaj se luftimi i pasurisë së fituar paligjshëm është zero.“ Jo vetëm në këto raste gjyqësore, por të gjitha ata persona që nuk mund ta justifikojnë pasurinë e deklaruar e njëjta duhet t’u konfiskohet. Por kjo nuk po ndodhë”, ka thënë Preteni.

Pavarësisht milionave të deklaruar si pasuri e ngrirë shifrat mund të mbeten zero, nëse personat e gjykuar në këto raste dhe të tjera nuk dënohen dhe nëse nuk ka urdhër për konfiskim të pasurisë. Rrjedhimisht vlerësohet se pasojat për shtetin do të jenë edhe më të mëdha, pasi palët në proces mund të padisin shtetin dhe të kërkojnë dëmshpërblim.

Deri më tani e gjithë pasuria e fituar paligjshëm, e konfiskuar nuk shkon përtej 140 mijë eurove, kryesisht pasuri e luajtshme bagëti, vetura dhe telefona. Ndërsa së fundi është konfirmuar se vlera e konfiskimit të pasurisë së fituar paligjshëm ka arritur mbi 600 mijë euro.

Betim Musliu nga Instituti për drejtësi, thotë se rezultatet e sekuestrimit apo konfiskimit të pasurisë së fituar paligjshëm janë dëshpëruese.

“Deri tani i gjithë sistemi prokurorial e gjyqësor ka dështuar të konfiskoj pasurinë e fituar nga veprat kriminale. Deklarime se janë ngrirë astetet që nuk ka vendim mendoj që janë deklarata abuzive”, ka thënë Musliu.

Për këtë arsye sipas tij, materies ligjore në Kosovë duhet t’i shtohet edhe legjislacioni që mundëson konfiskimin secilës pasuri që nuk mund të arsyetohet prejardhja e saj, edhe pa qenë i ndjekur për ndonjë aktivitet kriminal. Në këtë mënyrë barra e të provuarit të ligjshmërisë së kësaj pasurie të bie mbi vetë personin.

Orvatjet dhe deklarimet për ngrirje apo konfiskim vlerësohen si vrap për të thënë se janë bërë sekuestrime, për shkak të presionit të publikut dhe kërkesave të Bashkimit Evropian për më shumë rezultate në konfiskim të pasurisë së fituar mbi krim.

Pavarësisht deklarimeve, bazuar në dhënat e deritashme pasuria e ngritur mbi perandorinë e krimit në Kosovë ende nuk është prekur. Aktualisht sistemi ligjor i Kosovës lë të paprekur çdo pasurim të paligjshëm të individëve të cilët nuk janë duke u hetuar apo gjykuar për ndonjë aktivitet kriminal, pavarësisht se nuk mund të justifikohet prejardhja e saj.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/deshtojne-urdheresat-per-ngrirje-dhe-konfiskim-pasurie/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala