Dështimi në UNESCO, shtyri seancën e Kuvendit

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka vendosur që edhe këtë javë mos të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës.

Kjo për faktin se ai është duke pritur përgjigje në letrën e dërguar tri partitë opozitare, Lëviza Vetëvendosje, AAK dhe Nisma për Kosovën, përmes të cilës i’u ka bërë thirrje që të kthehen në Kuvend dhe të debatojnë për çfarëdo teme që ato kërkojnë.

Burime të ORAinfo brenda zyrës së kryeparlamentarit Veseli kanë treguar se kryeparlamentari është duke pritur një përgjigje nga përfaqësuesit e opozitës rreth kërkesës së tij.

“Ne po presim përgjigje, deri me tani nuk kemi marrë diçka zyrtare nga ana e opozitës”, ka thënë ky burim.

Sipas tij, një arsye tjetër për mosthirrje të seancës këtë javë ka qenë edhe mospranimi i Kosovës në UNECO. “Ju e keni parë që pas vendimit të UNESCO-s, është shtuar presioni si nga opozita, por edhe nga shoqëria civile, të cilët kanë bërë thirrje që të ndërpritet menjëherë dialogut me Serbinë. Thirrja e seancës në këto rrethana, vetëm sa do t’i kontribuonte tensionimit të situatës”, ka thënë ky burim për ORAinfo.

Megjithatë sipas tij, në fillim të javës së ardhshme kryeparlamentari Veseli pritet të thërras mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit në të cilën do të vendoset për hapat e metutujeshmë.

Kuvendi i Kosovës në sesionin vjeshtor nuk ka arritur të mbaj asnjë seancë të rregullt, për shkak se partitë opozitare po vazhdojnë me bllokimin e seancave, duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të heq dorë nga nënshkrimet për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi, raporton ORAinfo.

Opozita e bashkuar këmbëngul se pa tërheqjen e këtyre dy nënshkrimeve nuk do të lejojnë mbajtjen e seancave, madje kanë kërcënuar se do të organizojnë protesta masive duke mos e përjashtuar eskalimin e situatës. /ORAinfo/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/deshtimi-ne-unesco-shtyri-seancen-e-kuvendit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala