Dështim diplomatik në UNESCO

Autori:Avdyl Pajaziti

Fushata gati njëvjeçare e Qeverisë së Kosovës për ta anëtarësuar vendin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, UNESCO, ka dështuar, të hënën, në Paris, ku në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate të OKB-së Kosovës i munguan vetëm tri vota për ta arritur synimin.

Ishin 92 shtete që votuan në favor të anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, 50 ishin kundër, ndërsa 29 shtete abstenuan, shkruan sot Koha Ditore.

Shumica e nevojshme prej dy të tretave – 95 vota – nuk u arrit për tri vota.

Kur është kumtuar rezultati nga kryesuesi i Asamblesë, në sallë kanë shpërthyer duartrokitjet nga mbështetësit e Serbisë. Edhe serbët e Kosovës me flamuj e sirena kanë festuar mospranimin e Kosovës në UNESCO.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, të përfshirë në lobim, të cilët kohë të gjatë para votimit rrihnin gjoks se i kanë siguruar votat përballë fushatës së “egër” të Serbisë, kanë refuzuar të marrin përgjegjësinë për dështimin.

Janë ngushëlluar me faktin se Kosova ishte shumë afër pranimit, dhe se do të provojnë sërish anëtarësimin në UENSCO më 2017, në Asamblenë e ardhshme të Përgjithshme, e cila, sipas rregullit, mblidhet një herë në dy vjet.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/deshtim-diplomatik-ne-unesco/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala