Dëshmitari: Oliver Ivanoviq ka qenë shefi i të gjitha grupeve

Autori:Zekirja Shabani

Ka vazhduar të hënën në Gjykatën Themelore të Mitrovicës seanca gjyqësore kundër Oliver Ivanoviq dhe katër të akuzuarve të tjerë, që akuzohen për krime lufte gjatë vitit 1999 dhe 2000.

Dëshmitari Shemsedin Ajeti, i cili aktualisht ndodhet në Suedi, ka dëshmuar përmes video linkut, duke thënë se natën kritike ka qenë në banesën e vëllait, Nexhmedin Ajeti, bashkë me bashkëshorten dhe djalin e tij, Vjosa dhe Agon Ajeti, ndërsa aty kanë qenë edhe fqinjët Mazllum Mehmeti me bashkëshorten, si dhe Gani Xhaka me bashkëshorten dhe vajzën e tij.

Sipas tij, atë natë në mesin e turmës së tubuar përreth ndërtesës ku ishte ai, kishte parë nga ballkoni Oliver Ivanoviqin të uniformuar dhe të armatosur, pastaj Dragolub Delibashiqin, si dhe të dyshuarit tjerë, Ilija e Nebojsha Vujaçiq, dhe Aleksandar Llazoviq.

“Oliveri dhe Delibashiqi kanë qenë koordinatorë të të gjitha ngjarjeve atë natë. I kam njohur shumë mirë. Oliveri e ka pasur zyrën afër shkollës së mjekësisë, ndërsa ka qenë shefi i të gjitha grupeve”, ka thënë mes tjerash Ajeti.

Ai tha se disa ditë më parë Mitrovica ishte mbushur me njerëz të uniformuar të cilët më herët nuk kanë qenë në atë pjesë të qytetit.

Dëshmitari ka potencuar se dy ditë para ngjarjes e ka takuar Oliver Ivanoviqin dhe e ka pyetur se çka është duke ndodhur kështu, ndërsa kishte marr përgjigje të shkurtër nga ai “kanë ardhur ‘frenkovcat’ (grup famëkeq paramilitar v.j.) dhe s’kam çka bëjë”.

Ajeti ka përsëritur disa herë se ka parë gjithçka dhe ka qenë shumë mirë i informuar, pasi që shqiptarët në atë pjesë e kanë lajmëruar për gjithçka që ka ndodhur atë natë.

Andaj, shtoi ai, ka qenë shumë mirë në dijeni për djalin e Sllavko Mandiqit, me emrin Ivan, kur ka hyrë në njërën prej ndërtesave dhe ka urdhëruar shqiptarët t’i braktisin banesat e tyre, ndryshe do të vriten të gjithë, por edhe për vrasjen e gruas së Shaip Canhasit dhe Muharrem Sokolit.

“Më 3 shkurt rreth orës 20:00 disa njerëz kanë trokitur në derën tonë duke u prezantuar si policë të Serbisë dhe kërkuan t’ua hapim derën. Pasi vëllai ka refuzuar një gjë të tillë, një grup prej më shumë se 10 personash kanë hyrë me forcë dhe kanë filluar të shtinë me armë nga më të ndryshmet, ndërsa ka pasur edhe shpërthime. Si pasojë, kanë humbur jetën djali i vëllait, Nderim Ajeti, dhe bashkëshortja e Ganiut, Nermane Xhaka, ndërsa të plagosur kanë mbetur vëllai Nexhmedini, vajza e tij Rrezarta dhe vajza e Ganiut, Emine Xhaka”, theksoi Ajeti.

Ai bëri të ditur se pak çaste para incidentit, kishte dal në ballkon dhe kishte parë rreth 100 serbë të grumbulluar para ndërtesës, në mesin e tyre Oliver Ivanoviq, Dragan Delibashiq, si dhe të akuzuarit tjerë, por ka përmendur edhe vëllezërit Mitroviq, Joviq dhe Zharko Kosovac, të kenë qenë në mesin e turmës.

“Njëqind për qind e kam parë Oliverin në mesin e turmës, i cili ka qenë i armatosur dhe i pajisur me motorola, dhe i cili ka qenë shefi i tyre. Pothuajse të gjithë në turmë kanë qenë të armatosur me kallashnikovë dhe bomba. Kam dëgjuar po ashtu Oliverin të thotë se asnjë nga familja Ajeti nuk guxon të mbetet gjallë, sepse janë dëshmitarë të shumë ngjarjeve gjatë dhe pas luftës”, sqaroi Ajeti.

Në anën tjetër, nënkryetarja e partisë së Oliver Ivanoviqit ‘SDP’, njëherësh kryesuesja e Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore, Ksenija Bozhoviq, tha për Kosovapress se procesi kundër Ivanoviqit është i motivuar politikisht dhe se shumë shpejtë do të dëshmohet kjo.

“Vetëm sa po konfirmohet fakti të cilin e kemi potencuar që nga fillimi se procesi gjyqësor kundër Oliver Ivanoviqit është i motivuar politikisht. Pas më shumë se 20 dëshmitarëve, të cilët nuk kanë konfirmuar se e kanë parë Oliverin në këto ngjarje, disa madje as që e kanë njohur dhe nuk dinë se si duket, kjo vetëm konfirmon çështjen e një procesi të motivuar politikisht. Në fund, shpresojmë se shumë shpejtë ky proces do të përfundojë dhe ai vetë do të dëshmojë pafajësinë e tij, por edhe atë që potencova se i tërë procesi është i motivuar politikisht”, ka thënë Bozhoviq.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/deshmitari-oliver-ivanoviq-ka-qene-shefi-i-te-gjitha-grupeve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala