Deri tani nuk asënjë të vdekur nga rriqrat

Autori:Avdyl Pajaziti

Zarife Krasniqi nga fshati Tërpezë i Malishevës, tre javë më parë është pickuar nga rriqrat. I kanë mbetë edhe një ditë qëndrim në Klinikën Infektive në Prishtinë për t’u lëshuar në shtëpi, pasi që gjendja e saj shëndetësore tashmë është përmirësuar.

Tani ajo është pacientja e vetme e shtrirë në infektivë dhe nuk rrezikohet të preket nga sëmundja e etheve hemorragjike. Këtë vit, deri tani, nuk ka asnjë rast të prekur nga sëmundja e etheve hemorragjike. Veçse nga fundi i muajit mars e deri sot në Infektive të QKUK-së u lajmëruan mbi 365 raste të pickimit nga rriqrat. 20 prej tyre qenë edhe të shtrirë në klinikë, por pa ndonjë rrezik të sëmundjes.

Mjekët në QKUK thonë se nëse deri me datë 25 të këtij muaji nuk shfaqet ndonjë rast i dyshuar për këtë sëmundje, atëherë në muajt në vazhdim gjasat për prekje nga kjo sëmundje janë shumë të vogla.

Pacientja Zarife Krasniqi rrëfen se në kohën kur u pickua nga rriqrat ishte në një gjendje mjaftë të rëndë shëndetësore. E tani, shëndeti i saj është përmirësuar dukshëm dhe nesër pritet të lëshohet në shtëpi.

Shefi i Klinikës Infektive, Hamdi Ramadani thotë për KosovaPress se personat e pickuar nga rriqrat që kërkuan ndihmë në infektive, ishin të viseve të ndryshme por numri më i madh ishte nga Malisheva dhe Rahoveci. Por fatmirësisht asnjë nuk arriti të preket nga sëmundja e etheve hemorragjike.

Që nga shfaqja e rasteve me pickim të rriqrave, në Klinikën Infektive kanë qenë të shtrirë 20 pacientë që kanë manifestuar simptoma të përafërta me sëmundjen e etheve hemorragjike. Pas trajtimit të tyre në klinikë ka dalë që ata janë pa shenja të kësaj sëmundje. E numri i atyre që kanë kërkuar ndihmë, arrinë në 365.

Ramadani thotë se gjendja është dukshëm më e mirë se vitet e kaluara. Sipas tij, gjenden para një situate të mirë që kjo sëmundje të bie ose të zvogëlohet dukshëm.Megjithatë, thotë se kapaciteti në klinikë është maksimal, dhe se posedojnë medikamente të mjaftueshme për raste të tilla.
Hulumtimet epidiologjike në nivel vendi kanë treguar se nëse deri më datë 25 të këtij muaji nuk shfaqen raste të prekura nga kjo sëmundje, atëherë për muajt në vazhdim, pra korrik e gusht, gjasat që njerëzit të preken nga kjo sëmundje janë shumë të vogla.
Në zonat e identifikuara me rriqra, që kryesisht janë Malisheva, Rahovesi, Suhareka e Klina, është kryer një fazë e spërkatjes në mënyrë që të parandalohen rastet e sëmundjes së etheve hemorragjike.

Vetëm gjatë 2013-ës nga ethet hemorragjike kanë vdekur 11 persona, derisa numri i pickimit nga rriqrat kishte arritë mbi 5 mijë qytetarë. Malisheva është zona, banorët e së cilës, janë prekur më së shumti nga ethet hemorragjike. Prej vitit 2000 e deri tani, janë 18 qytetarë të kësaj zone që kanë vdekur nga ethet hemorragjike. /Indeksonline/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/deri-tani-nuk-asenje-te-vdekur-nga-rriqrat/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala